Qeveria shqiptare ka financuar ndërtimin e Aeroportit të Vlorës? Miliarderi Behgjet Pacolli i heq ‘barrën’ Edi Ramës

Miliarderi nga Kosova, Behgjet Pacolli dhe gjithashtu pronar i 98% të aksioneve të Aeroportit të Vlorës ka reaguar i revoltuar ndaj emisioneve të transmetuara në televizionet shqiptare lidhur me çështjen e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës dhe investimit të bërë në këtë projekt.

Konkretisht ai ka deklaruar pas një deklaratë të bërë në emisionin e drejtuar nga gazetari Adi Krasta, ku një prej të ftuarve deklaroi se ishte qeveria shqiptare ishte ajo që ka derdhur kapitalin e nevojshëm për ndërtimin e këtij projekti.

Pacolli shkruan se asnjë qindarkë e shtetit shqiptar nuk është investuar në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, por se i gjithë projekti është financuar tërësisht nga koncensionari, pra nga kompania që ai zotëron.

Duke ndjekur disa televizione shqiptare përmes telefonit tim (pasi ndodhem larg Shqipërisë), te  emisioni i Edi Krastës, dëgjova zotin Kalliqi ( nuk e di kush është ai) që deklaronte se Qeveria Shqiptare është duke paguar për ndërtimin e aeroportit dhe se do të shpenzojë qindra miliona euro për këtë projekt.

Kjo është plotësisht e pavërtetë.

As Qeveria Shqiptare, e as ndonjë qytetar shqiptar, nuk ka paguar dhe nuk do të paguajë asnjë qindarkë për ndërtimin e këtij aeroporti.

Ndërtimi i aeroportit financohet tërësisht nga koncesionari. Kontrata e koncesionit parashikon vetëm një garanci minimale të pasagjerëve, një praktikë e zakonshme në marrëveshje të tilla ndërkombëtare. Ky minimum arrihet pa asnjë vështirësi, andaj,  çdo spekulim mbi barrë financiare për shtetin është tendencioz dhe keqdashës.

Prandaj, dua të theksoj qartë:

➡️ As Qeveria Shqiptare dhe asnjë shqiptar nuk do të paguajë asnjëherë asnjë cent për ngritjen e këtij aeroporti.

➡️ Të gjitha investimet mbulohen nga koncesionari, i cili do t’i rikuperojë mjetet e investuara gjatë afatit të përcaktuar në kontratë.

Ju lutem, mos e helmoni kulturën e informimit publik me lajme të shtrembëruara dhe të pavërteta. Dezinformimi nuk është thjesht gabim — është papërgjegjësi që dëmton publikun dhe krijon konfuzion të panevojshëm”, shkruan Pacolli.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT