11 vjet nga zhdukja e Sulltan Mehmetit, i rrëmbyer nga policia maqedonase më 2001
Sot, më 6 maj, mbushen plot 11 vjet nga rrëmbimi-kidnapimi misterioz i kryetarit të BL të fshatit Ladorisht, Sulltan Memetit. Janë këto vite plot ankth, dhimbje dhe pritje e pafund për familjarin, Sulltan Memeti.
Në 11- vjetorin e rrëmbimit, të Sulltan Memetit, kryetar i BL të Ladorishtit, më 6 maj të vitit 2001, familjarët, shpalosën edhe njjë herë kronologjinë e zhdukjes misterioze të Sulltan Memetit, gjatë vitit 2001.
“Ai është rrëmbyer nga policia maqedonase e për këtë kemi edhe dëshmi të noterizuara nga dëshmitarët okular” pohojnë familjarët
Rasti i Sulltan Memetit, nga ana e policisë, vazhdimisht trajtohet si rast i përgjithshëm nga ngjarjet e vitit 2001, ndërsa reagimi i familjarëve dhe BV ka të bëjë me atë se Sulltan Memeti është rrëmbyer jashtë rajoneve të luftës, aty ku nuk ka pas trazira dhe konflikte, ku institucionet e shtetit kanë funksionuar normalisht. Ai është rrëmbyer nga policia në Strugë e askund tjetër, prandaj edhe kërkohet që rasti të trajtohet veçmas dhe ndaras nga rastet tjera.
Familjarët dhe bashkëvendësit, nuk kërkojnë gjë tjetër dhe nuk kërkojnë asgjë më tepër pos të informohemi për shkallën deri ku është arritur të zbardhet rasti, duke aluduar në mosefikasitetin e organeve të SPB-së dhe Prokurorisë. Shprehet indinjatën ndaj organeve që në mënyrën më çnjerëzore injorojnë kërkesat e familjarëve krejtësisht humane, qytetëruese dhe njerëzore, për zbardhjen e rastit të Sulltan Memetit.
Duke iu referuar dëshmive të deponuara, hetimeve të gjertanishme dhe deklaratave, rezulton se Sulltan Memeti është arrestuar nga policia, ose nga forcat paramilitare maqedonase në postbllokun e vendosur nga policia në dalje të Strugës, në drejtim të fshatit ladorisht dhe Qafë Thanë.
Gjatë këtyre 11 viteve të kaluara, nga ana e familjarëve dhe strukturave të tjera të BV nga Ladorishti, nuk kanë munguar kërkesat, kontaktet dhe apelet për ndihmë rreth zbardhjes së rastit, duke filluar që nga organet vendore e deri në ato ndërkombëtare, përfshirë edhe ish kryetarin e ndjerë Boris Trajkovski, i cili e ka pohuar se Sulltan Memeti është rrëmbyer nga policia sekrete maqedonase. “Jemi takuar edhe me ish ministrin e brendshëm Lube Boshkovski rreth këtij rasti. Janë mbajtur disa tubime protestuese, bllokime të rrugëve dhe aktivitete të tjera, duke respektuar normat qytetëruese dhe ligjore, duke mos cenuar dhe penguar zhvillimin normal të jetës së qytetarëve, me të vetmin qëllim që të ngremë zërin e arsyes, ndjenjën njerëzore dhe humanitetit. Po ashtu, gjatë vizitës që i bëri asokohe Strugës, euroambasadori Ervan Fuere, kemi zhvilluar një takim me qëllim që ti dorëzojmë dosjen e Sulltan Memetit, por e gjithë kjo është e kotë”-pohojnë familjarët.
Kronologjia e zhvillimeve lidhur me rastin që nga rrëmbimi i Sulltan Memetit, sipas njohurive të familjarëve të grumbulluara nga dëshmitarët okular dhe të tjerë, rezulton se: Sulltan Memeti, është rrëmbyer nga policia në post-bllokun e vendosur nga njësitet policore më 6 maj ndërmjet orës 21.00-21.45, në afërsi të varrezave krishtere në aksin rrugor Strugë-Qafë e Thanës. Nuk ka fare dyshimi, se Sulltanin e kanë ndaluar dhe rrëmbyer policia maqedonase, e këtë e dëshmojnë edhe dëshmitarët okular, të cilët kanë deponuar dëshmitë dhe deklaratat e tyre të noterizuara, pranë organeve të hetuesisë.
Lidhur me misterin, fshehjen e gjurmëve zbuluese dhe moszbardhjen e rastit të Sulltan Memetit, familjarët dhe të tjerët, fajësinë e adresojnë në SPB-në, dhe personat zyrtar (Anton Çakar dhe Sasho Ugrinoski), të cilët janë përmendur në shumë takime të familjarëve me struktura të ndryshme në vend.
Fajësinë ndaj personave të apostrofuar, familjarët vazhdimisht e kanë mbështetur duke iu referuar edhe të dhënave, njohurive dhe fakteve të tjera të shumta si p.sh. deklarata e avokatit Numan Limani, dhënë asokohe gazetës “Fakti”, ku lidhur me personat e zhdukur ai shprehimisht ka deklaruar se: ”Ata mbahen në polici dhe ka gjasa të likuidohen” duke sjellur të dhëna të sigurta se të rrëmbyerit ndodhen në objektet e MPB-së në Shkup.
Në 11-vjetorin e zhdukjes misterioze-rrëmbimit nga forcat policore të Sulltan Memetit, familjarët kanë shpresuar se do të ndihmohen nga subjektet politike shqiptare, participiente në pushtetin qendror, por përkundër shpresës, ata janë zhgënjyer, sepse asnjë nga subjektet politike shqiptare nuk e ka lëvizur nga vendi këtë çështje, pos përfoljes në fazat e fushatave elektorale.(Mehmet Latifi/INA)
Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”