Presidenti Thaçi takon ambasadorin amerikan Kosnett: Diskutuam për procedurat e formimit të një qeverie të re. Kosova është e bekuar me miqësinë e SHBA

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është takuar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.
Në një postim në rrjetin social Thaçi thotë se është pajtuar me ambasadorin e SHBA për standardin e lartë të demokracisë në Kosovë, në respekt të Kushtetitës dhe ligjeve të vendit.
Kreu i shtetit të Kosovës bën me dije se është diskutuar për procedurat e mëtejshme për forumimin e qeverisë së re.
“Sot kisha një shkëmbim të hapur pikëpamjesh me Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett. Ne u pajtuam që seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës ka konfirmuar edhe një herë standardin e lartë të demokracisë në shtetin tonë, si dhe respektin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Po ashtu, ne diskutuam edhe për procedurat e mëtejme për formimin e një qeverie të re, të cilat do të bazohen plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, duke njohur në këtë proces edhe rolin vital të Gjykatës Kushtetuese.
Kosova është e bekuar me miqësinë e SHBA-së, e cila vetëm po forcohet në këto kohë të vështira për të dyja vendet. H Thaçi”, shkruan Thaçi.