Kush kërkon rrëzimin e qeverisë së Kosovës?!

Nga Bedri Islami
Kosova është në një gjendje të pazakontë: me shfaqjen e Coronavirusit, që shpresojmë të mos përhapet më tej, dhe, me vendimin e shefit të qeverisë, Kurti, për shkarkimin e ministrit të punëve të brendshme të Kosovës, zotit Veliu.
Shkak është bërë një deklaratë e ministrit për rritjen e shkallës së përhapjes së virusit, ” në çdo orë”, por edhe mospajtimi i tij me shefin e qeverisë për shpalljen ose jo të gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë.
Kurti, sipas zëvendëskryeministrit Hoti, i deleguar nga LDK-ja, që është edhe zëvendëskryeministri i parë, me këtë akt nuk shkarkoi një ministër, por shkarkoi veten.
Isa Mustafa shkoi edhe më tej, duke i përcaktuar qartë Kurtit një afat 7 ditor për të kthyer praçpsht vendimin e tij dhe..për të hequr taksën, një kërkesë e hershme e tij, por edhe Shteteve të Bashkuara.
Një tjetër zëvendëskryeministër, kësaj here nga rradhët e Lëvizjes VV!, zoti Abazi , u ndërfut në këtë përplasje dhe seriozitetit i dha ngjyrën e komedisë.
A do i mbijetojë qeveria e Kosovës kësaj krize?
A është vërtet rebelimi i zotit Veliu shkaku i vërtetë i largimit të tij nga detyra e ministrit?
Përse Isa Mustafa, një skile e vjetër e politikës , e lidh njëherësh, zbrapsjen e vendimit të Kurtit dhe heqjen e taksës, duke dhënë mesazhin e qartë se pikërisht kjo e fundit është shkaku i vërtetë i kësaj përplasje?
Që në krye të herës, që në delegimin e emrit të Agim Veliut në postin më të rëndësishëm ministror në qeverinë e Kosovës, atij të brendshmit, është paraditur se do të ketë një përplasje mes tij dhe shefit të tashëm të qeverisë, Kurti.
Agim Veliu ishte dhe vazhdon të mbetet një ndër falkojt e LDK-së, kundërshtar i këtij koalicioni qeveritar dhe, për më tepër , kundërshtar i Kurtit.
Kurti e ka ditur këtë dhe e ka pranuar.
Ai ka bërë lëshimet e tij të njohura tashmë, që nga lëshimi i postit të kryetarit të Kuvendit, të cilin e zgjodhi me votat e LDK-së, që ngriti kështu kurthin e parë politik, emërimin e zonjës Osmani në këtë post, që në fakt synonte dhe synon postin e tij, pritjen deri në lodhje të përgjigjes së Isa Mustafës për qeveri të përbashkët, emërimin e atyre që i deleguan, pa mundur të kundërshtojë, zgjatjen e vendimit të tij për heqjen e taksës, acarimin e panevojshëm me opozitën, kërkesën e tij të parë politike ende pa shkuar në karrigen kryeministrore: largimin e Thaçit nga posti i presidentit, duke harruar se aty është edhe nga dëshira e partnerit të tij të koalicionit, etj.
Kjo ishte dhe vazhdon të jetë një qeveri e të kundërtave. Që nuk kanë asnjë përqasje me njëra tjetrën, veç dëshirës për pushtet. ASGJË TJETËR. Dhe si e tillë nuk mund të shkojë gjatë.
Kurti është mes dy zjarreve: premtimeve të tij, në fakt mjaft populiste dhe realitetit që ia ngushton LDK-ja. Partia e Isa Mustafës është e mjeshtëruar për shuarjen e zjarreve, sidomos kur ato nuk janë pjesë e mendimit të saj politik.
Ishte dhe vazhdon të mbetet një qeveri e krijuar nga zori. Dekalrimi i Kurtit, ende pa u bërë qeveria se, unë jam kryeministri i Kosovës, nuk ishte thjeshtë nxitje, ishte fillimi i megollamanisë pushetetore. Këtë ia ushqeu mjeshtërisht LDK-ja, që edhe i zgjaste litarin e shefit të qeverisë, edhe ia ngushtonte atë.
LDK-ja, nga vetë përvoja dhe prejardhja e saj politike, është një strukturë që më parë bën hesapet dhe pastaj nxjerr bllokun për të mbajtur shënime.
Në katër muaj ajo luajti vetëm një lojë: rënien e imazhit politik të Lëvizjes VV!, shnëdrrimin e vizionit në një pazar pushteti dhe qeverie, i dha dorën për të bërë veprime të pamatura politike, ia ushqeu ambicien për të marrë një vendim mesnate, sipas të cilit, vetëm qeveria ka të drejtë të bëjë bisedimet për të ardhmen e Kosovës, duke mënjanuar një institucion që është ai i presidentit.
Zaret u hodhën….