Alarm në Burgun e Sigurisë së lartë në Fier, vrasësi shkatërron murin e qelisë dhe del në tarracë për t’u arratisur (DETAJE)

Bledar Selmanaj, autor i vrasjes së 25 vjeçarit Xhulian Bullari në Vlorë, ka tentuar dje të arratiset nga Burgu i Sigurisë së lartë në Fier. Ai ka shkatërruar murin e qelisë dhe ka depërtuar deri në tarracën e objektit, por është neutralizuar nga gardianët.

Ngjarja ka ndodhur dje, më datë 24 Shtator, kur gardianët kanë konstatuar 43 vjeçarin që kishte dalë nga ambientet e ajrimit e deri në tarracë, për t’u arratisur, por është ndërhyrë menjëherë dhe Bledar Selmanaj është ndaluar.

Ai ka tentuar të arratiset dhe një herë më parë nga qelia, kur ndodhej në Burgun e Tiranës, por dhe aty është zbuluar në kohë.

Bledar Selmanaj është dënuar për vrasjen e shokut të tij 25 vjeçar atëkohë, Xhulian Bullari. I riu u gjet i vdekur në aksin Vlorë-Babicë, në një makinë tip “Fiat Punto”, ku sipas ekspertizës rezultoi se ai është qëlluar me tre plumba nga pasagjeri.

Vrasësi që tentoi arratisjen është pikërisht personi që ndodhej pasagjer në mjet dhe kreu vrasjen e Xhulian Bullarit. Ai u arrestua në zonën e Bllokut në Tiranë në kuadër të operacionit policor “Babica” dhe vrasjen e kreu pas prishjes së pazareve të drogës.

Bledar Selmanaj ka deklaruar para grupit hetimor se kishte ndërmjetësuar për shitjen e 100 kg drogë te miqtë e Bullarit, por këta të fundit e kishin bërë pagesën me para false.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT