Marrëveshje historike! Trump njofton se Hamasi do të dorëzojë armët

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi të enjten në mbrëmje, 30 korrik, se Hamasi dhe Bordi Ndërkombëtar i Paqes kanë rënë dakord për hapat e ardhshëm të një marrëveshjeje paqeje, e cila parashikon çarmatimin e plotë të Hamasit dhe të të gjitha grupeve të tjera të armatosura në Rripin e Gazës.

Në një postim në Truth Social, Trump e cilësoi marrëveshjen si “historike”, duke thënë se ajo përfaqëson një hap të madh drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme. Megjithatë, ai nuk dha një afat të saktë se kur do të përfundojë procesi i çarmatimit.

Postimi

Sipas zyrtarëve amerikanë dhe përfaqësuesve të Bordit të Paqes, Hamasi, përmes ndërmjetësve, ka pranuar tekstin përfundimtar të planit, i cili përfshin dorëzimin e armëve. Edhe një zyrtar i lartë i Hamasit konfirmoi për BBC se grupi ka pranuar planin.

Nga ana tjetër, Izraeli ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj njoftimit të Trump.

Plani parashikon që, ndërsa çarmatimi të ecë përpara, forcat izraelite të tërhiqen gradualisht nga disa zona të Gazës. Siguria do të garantohet nga një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi dhe një forcë e re policore palestineze.

Trump deklaroi se kjo marrëveshje do t’i hapë rrugën krijimit të një administrate të re palestineze në Gaza, e cila do të bashkëpunojë ngushtë me Bordin e Paqes për rindërtimin dhe qeverisjen e territorit, ndërsa Izraeli do të ketë garanci që Gaza të mos përdoret më si bazë për sulme.

Negociatat bazohen në një plan me 20 pika. Faza e parë, që përfshinte armëpushimin dhe lirimin e pengjeve, u zbatua në tetor. Çështjet më të vështira, si çarmatimi i Hamasit dhe tërheqja e ushtrisë izraelite, u lanë për fazën e dytë.

Zyrtarët amerikanë thanë se marrëveshja e re është një udhërrëfyes që do të plotësohet me detaje gjatë javëve në vijim. Ata pranuan se procesi mori më shumë kohë nga sa ishte parashikuar, por theksuan se kompleksiteti i çështjes kërkonte kujdes. Sipas tyre, zbatimi i planit mund të nisë brenda një ose dy muajve.

Plani bazohet në parimin se as Izraeli dhe as Hamasi nuk i besojnë njëri-tjetrit. Për këtë arsye, çdo hap do të zbatohet vetëm nëse edhe pala tjetër respekton angazhimet e saj.

Sipas marrëveshjes, një autoritet kalimtar i quajtur Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës do të ketë kontroll të plotë mbi armët në territor, ndërsa Hamasi do të heqë dorë nga çdo rol në qeverisjen e Gazës. Ky komitet u krijua më herët këtë vit nën mbështetjen e Bordit të Paqes, një nismë e mbështetur nga administrata Trump, Izraeli dhe disa shtete të Lindjes së Mesme.

Fillimisht do të dorëzohen armët e policisë, të cilat do të kalojnë nën kontrollin e një force të re policore palestineze. Më pas do të nisë çmontimi i armëve të rënda, depove të armëve dhe tuneleve, pasi të konfirmohet se të dyja palët po respektojnë marrëveshjen. Armët personale do të trajtohen sipas legjislacionit palestinez.

Plani parashikon gjithashtu që Izraeli të tërhiqet nga Gaza në disa faza, sipas një kalendari që ende nuk është përcaktuar përfundimisht.

Më herët gjatë këtij muaji, një zyrtar i Hamasit njoftoi se grupi kishte shpërndarë administratën e tij, për t’i hapur rrugën Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Gideon Sa’ar, e quajti këtë veprim një “mashtrim”, duke theksuar se Hamasi duhet të çarmatoset plotësisht. Sipas tij, për sa kohë që grupi mban armët, çdo administratë civile do të veprojë nën ndikimin e Hamasit dhe organizata do të vazhdojë të ushtrojë kontroll mbi Gazën dhe të përbëjë kërcënim për Izraelin.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT