Le ta luftojmë Koronavirusin me solidarizim ashtu siç bëmë me tërmetin

Teksa shumë shtete u prekën nga Coronavirusi, vendi ynë u cilësua në fillim në njëfarë mënyrë si pa risk e “imun” ndaj këtij virusi për arsye që nga ana mjekësore nuk shpjegoheshin dot.

Por ishte e pritshme që kjo situatë nuk mund të zgjaste më tepër, ndaj edhe ditën e djeshme janë evidentuar 2 rastet e para të personave të prekur me Coronavirus në vendin tonë.

Nga ajo që kemi parë nga mediat e televizonet në vendin tonë fqinj në Itali ka pasur një panik të madh, çfarë ka bërë që shumë qytetarë të dynden drejt supermarketeve e dyqaneve ushqimore dhe të boshatisin ushqimet. Kjo sepse janë dhënë alarme false që dyqanet mund të ngelin bosh dhe njerëzit mund të mbesin pa ushqime.

E thuajse e njëjta situatë është përcjellë me shqetësim edhe në vendin tonë, ku shumë qytetarë e familjarë janë dyndur drejt marketeve e supermarketeve për të blerë sa më shumë ushqime. Kjo sepse është perceptuar njëjtë si në Italinë fqinje që dyqanet mund të boshatisen, por edhe nga frika e vetëkarantinimit të individëve.

Por përtej kësaj situate ajo që është apeluar edhe nga insitucionet shtetërore dhe televizonet është fakti që kjo situatë nuk mund të përballohet e as të luftohet me panik, por me kujdes të shtuar personal dhe me ndërgjegjësim për të zbatuar këshillat e mjekëve.

Në të tilla situata pra është tejet i nevojshëm ndërgjegjësimi dhe solidarizimi me të pamundurit, me të moshuarit që janë në fakt më të predispozuar ndaj këtij virusi, dhe me të gjithë njerëzit në përgjithësi.

Lënia e dyqaneve ushqimore nëpër lagje pa fruta dhe ushqime të tjera shporte, nuk është shenjë solidarizimi e as ndërgjegjësimi, ndaj ne nuk duhet të tregohemi kaq individualist por të mendojmë edhe për të tjerët.

Ashtu si edhe tërmeti, Coronavirusi është tashmë një situatë e vështirë që duhet ta luftojmë të gjithë bashkë.

Ndalimi i takimit apo përqafimeve të ngrohta me njerëzit e dashur apo familjarët tanë mund të ngjajë në dukje një privim nga dashuria që ne kemi ndaj tyre, ama duke zbatuar këtë masë ne tregojmë kujdes ndaj kësaj situate dhe kjo është padyshim një dashuri më e madhe për familjarët dhe veten tonë.

Le të kthehemi tek njerëzorja, le të kujdesemi për veten dhe të tjerët dhe le të jemi më solidar me të gjithë. Kjo është e vetmja mënyrë për ta luftuar coronavirusin. Ashtu siç luftuam edhe tërmetin e 26 nëntorit. Përhapja e panikut dhe frikës nuk ndihmon askënd, veçse e vështirëson më shumë situatën.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT