Luajti rol kyç në trafikimin e 50 kg kokainë nga Amerika e Jugut në Belgjikë, arrestohet në Itali vëllai i deputetes së PD-së Elda Hoti

Markelian Hoti, vëllai i deputetes së PD-së Elda Hoti, është arrestuar nga policia italiane në Romë për llogari të autoriteteve belge, pasi dyshohet se ka luajtur një rol kyç në trafikun e kokainës.
27-vjeçari Markelian Hoti, po qëndronte me të dashurën e tij në një apartament B&B në Via Giovanni Cicali, në periferi lindore të Romës, ku ra në prangat e policisë italiane.
Sipas mediave italiane, Hoti dyshohet se luajti një rol kyç në një organizatë të specializuar në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut. Droga mbërriti në portin e Antverpit dhe më pas u transportua me automjete të fuqishme nga Evropa Veriore në Dubai.
Pas sekuestrimit të 50 kilogramëve kokainë të fshehur brenda kontejnerëve që mbërritën në portin e Antverpit, 27-vjeçari u zhduk. Për këtë arsye, kundër tij u lëshua një urdhër arresti evropian në janarin e kaluar për komplot për trafik droge, një krim që mbart një dënim maksimal prej 15 vjetësh burg.
Markelian Hoti jetonte “në hije”, i ndihmuar nga dështimi i pronarit për të futur informacionin e tij në portalin “Alloggiati web”, duke e fshehur atë në mënyrë efektive nga forcat e rendit.
Pasi u konfirmua identiteti i 27 oficerët e çuan menjëherë në burg, ku ai do të mbetet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore në pritje të finalizimit të procedurave të ekstradimit.
Sipas mediave në vendin tonë, Markelian Hoti dyshohet se është vëllai i deputetes së PD-së Elda Hoti.