BE i heq Turqisë 85 mln euro, por nuk ja transferon Shqipërisë

Në buxhetin 2020, Bashkimi Europian parashikonte një fond prej 85 milionë eurosh për Turqinë, para të projektuara për t’u përdorur për forcimin e institucioneve dhe shtetit ligjor në kuadër të mekanizmit të paraanëtarësimit.

Por, përplasjet hapat pas të Turqisë në këtë proces e detyruan Brukselin që të anulojë këtë fond. Kjo ngriti zëra brenda Parlamentit Europian që kërkonin që BE të vlerësonte mundësinë që paratë në fjalë të transferoheshin për në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që të ndihmohen në rrugën e hapjes së negociatave të anëtarësimit.

Megjithatë, Bashkimi Europian e ka përjashtuar mundësinë që fondi në fjalë t’u adresohet drejtpërdrejtë dy vendeve të Ballkanit si pjesë e fondeve për forcimin e shtetit ligjor dhe të të drejtave të njeriut.

Në vend të kësaj, BE thotë se fondet do të transferohen në zërin që Brukseli e quan “Global Europe”, ku përfshihen paratë që Bashkimi Europian rezervon për ditë të vështira.

“Komisioni mund t’i propozojë autoriteteve buxhetore përdorimin e një pjese, ose e të gjithë kësaj shumë për të përballuar ngjarje dhe situata të paparashikuara në buxhetin 2020”, thotë Komisioni Europian.

Që prej 2017, kur Bashkimi Europian nisi kufizimet dhe anulimet e fondeve të parashikuara për Turqinë në bazë të instrumentit të ndihmës së paraanëtarësimit, Turqia ka humbur 1.3 miliard euro.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT