Video e Bashës: Kam të metat e mia, kam gabuar dhe në të shkuarën

Kryedemokrati Lulzim Basha është shfaqur ndryshe para qytetarëve shqiptarë në një tur takimesh në Tiranë.
Në një video në “Facebook”, ai shfaqet në takime informale me qytetarët, ndërsa vë në pah se shqiptarët meritojnë vëmendje.
“Shqiptarët meritojnë të dëgjohen me vëmendje dhe të trajtohen me dinjitet”, shkruan lideri demokrat.
Basha shprehet se çdokush ka të metat e tij dhe se ka bërë gabime në të shkuarën. Por, ai zotohet se do t’ju shërbejë shqiptarëve dhe do i vendosë gjithmonë të parët.
“Kudo që shkoj me këdo që flas, njerëzit kërkojnë të njëjtat gjëra: mundësi, punësim, shëndetësi dhe arsim të denjë, zbatim të ligjit, një qeveri që kujdeset për ta, një qeveri që i dëgjon. Si çdokush dhe unë kam të metat e mia dhe e di shumë mirë se kam bërë edhe gabime në të kaluarën por një gjë ua premtoj të gjithë shqiptarëve, se gjithmonë do ju dëgjoj, gjithmonë do t’ju shërbej dhe se gjithmonë do t’ju vë ju të parët”, thotë Basha.