Një raport dhe një urdhër, ‘Rinasi’ dhe pasojat mund të ishin shmangur

Tre testime janë bërë nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Policia e Shtetit për sigurinë në Rinas dhe me lehtësi të plotë është arritur të futet eksploziv, armë të ftohta,

Madje në një rast është arritur të çahet rrethimi pikërisht tek e njëjta derë ku kanë hyrë dhe grabitësit.

Testimet në fjalë për sigurinë në aeroport janë kryer prill 2016.

Në të tre testimet, siguria e aeroportit ka dështuar të detektojë rrezikun.

Tritoli është futur, po ashtu edhe thika. Rasti më i rëndë ka qenë futja në të njëjtën pikë nga ku depërtoi brenda pistës së Rinasit makina e grabitësve në qershor 2016.

Për 10 minuta simulatorët kanë çarë rrethimin dhe nuk janë kapur nga sistemi i kamerave të ICTS-së, i cili nuk ka funksionuar.

Raporti mbi rezultatet e këtyre testimeve i është dorëzuar Aeroportit dhe Ministrisë së Transporteve në mes të muajit maj 2018.

Por as nga shteti, as nga ICTS dhe TIA nuk u mor asnjë masë.

Vetëm pak ditë më vonë, në 29 qershor, ndodhi grabitja spektakolare në pistën e “Nënë Terezës”.

Sërish asnjë masë, derisa mbërritëm te ngjarja e djeshme.

Urdhëri i pazbatuar

Grabitja brenda pistës së Aeroportit të Rinasit, duke thyer sigurinë kombëtare, mund të ishte një ngjarje e parandaluar, nëse do të ishte zbatuar nga instancat më të larta drejtuese të kupolës së policisë, urdhri nr. 130 i datës 05.08.2018.

Urdhëri mban firmën e ish-ministrit Fatmir Xhafaj, me titull: “Ruajtja dhe sigurimi i objekteve të sektorit bankar, sigurimi dhe shoqërimi i vlerave monetare, materiale dhe sendeve të çmuara gjatë transportit”.

Në këtë shkresë, ish-ministri urdhëron:

“Transportimi i vlerave monetare mbi shumën 950.000.000 lekë, përveç masave të parashikuara në kategorinë F, pikat “a” dhe “b” nga shërbimi privat i sigurisë fizike, strukturat e Policisë së Shtetit në territorin e të cilit do të lëvizë eskorta, planifikojnë dhe marrin masa shtesë sigurie, sipas përcaktimit të bërë nga legjislacioni në fuqi”.

Nëse do të ishin marrë pikërisht këto masa, në një kohë kur jo një por 3 banka po transportonin 10 milionë euro drejt Austrisë, plani i grabitjes do të haste në rezistencën e policisë, paçka se ishte mirëpërgatitur me një disiplinë ushtarake.

Po ashtu, drejtuesit e Policisë së Shtetit nuk kanë zbatuar një tjetër kërkesë në këtë urdhër, ku parashikohen një sërë masash për thasët me valutë.

“Në kontratën ndërmjet palëve të përfshihet edhe kategoria e mjeteve të blinduara, sasia maksimale-minimale e vlerave monetare që do të transportohen gjatë një eskortimi, përdorimi i GPS-it, bojë ngjyrosjeje me kod për çdo bankë, kamerat e regjistrimit, sinjali SOS, radio komunikimi etj.”.

Asnjë prej këtyre elementëve të sigurisë nuk ishte vendosur në 7 nga 15 thasët që mundën të merrnin grabitësit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT