“Largohu nga banesa me fëmijët…”, i vëllai iu vra në atentatin në Rinas, Shemsi Shaljani me vëllezërit kërcënojnë me jetë bashkëshorten e Muçi Shaljanit

Shemsi Shaljani, vëllai i Muçi Shaljanit alias Sheqeri, është arrestuar për dhunë në familje, pas një konflikti me bashkëshorten e vëllait të ndjerë.

Gjykata e Tiranës ka caktuar më 16 mars masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij, ndërsa akuzohet se ka kërcënuar dhe ushtruar presion ndaj kunatës për çështje pronësie.

Sipas denoncimit, 40-vjeçarja ka deklaruar në polici se kunati i saj ka shkuar në banesë, ka goditur derën dhe i ka kërkuar të largohet së bashku me fëmijët, duke e kërcënuar edhe me jetë. Policia ka sekuestruar pamje filmike dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët, ndërsa për gruan është lëshuar urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje.

Madje ajo ka denoncuar edhe Denis Morinën, vëllain nga ana e nënës së Muçi Shaljanit pasi i kishte marrë çelësin e objektit. Fillimisht, ajo nuk kishte bërë kallëzim, mirëpo kishte kërkuar ndihmë në Polici me qëllim që çelësat t’i ktheheshin mbrapsht.

Në vijim të procedurave, efektivët i bënë thirrje Morinës që të paraqitej në Komisariat ku dhe bënë të mundur që çelësat e pronës t’i ktheheshin bashkëshortes të së ndjerit, ndërsa sa i përket çështjes së pronësisë ata i kanë orientuar që t’i drejtohen gjykatës.

Konflikti mes palëve lidhet me pronësinë e një objekti katërkatësh dhe dy ambienteve bar-kafe në rrugën “Spiro Deda”, të administruara më parë nga Muçi Shaljani. Ngjarja vjen pas vrasjes së këtij të fundit në nëntor 2025, në një atentat pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë së bashku me Gilmando Danin.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT