Sot, 12 vjet nga Marrëveshja e Ohrit
Sot mbushen 12 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni. Marrëveshja e Ohrit, e cila u arrit me shumë vështirësi dhe me ndërmjetësimin e të dërguarve nga Uashingtoni dhe Brukseli arriti t’i japë fund një konflikti pesëmujor në fshatrat e Kumanovës, Shkupit dhe Tetovës, mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave policore e ushtarake të Qeverisë së IRJM.
Zbatimi i plotë i saj në praktikë përballet me shumë sfida. Partitë shqiptare akoma janë të pakënaqura për shkak të mospërmbushjes së saj. Realizimi i plotë i kësaj marrëveshje nuk ka ndodhur në shumë institucione të vendit, sa i përket rritjes së përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore.
Probleme në realizimin e saj shkaktohen edhe në aspektin e zbatimit të saj praktik, përmes respektimit të ligjeve. Ligji për gjuhët dhe flamurin, zyrtarizon pjesërisht si gjuhë zyrtare gjuhën shqipe, duke mos përfshirë tërë territorin e vendit. Gjuha shqipe është zyrtare në komunat ku shqiptarët janë mbi 20 për qind, ndërsa akoma nuk behet implementimi i saj në institucione qendrore. Ligji për përdorimin e flamurit mundëson përdorimin e tij në komunat ku shqiptarët janë mbi 50 për qind, por me ndryshimet e fundit ligjore flamuri shqiptar është me përmasa tre herë më të vogla për dallim nga flamuri shtetëror maqedonas.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që u formua një vit pas konfliktit nga struktura ushtarake e UÇK-së vazhdimisht bazohet në këtë Marrëveshje, duke nënvizuar se janë bërë arritje të mëdha tek shqiptarët. Ndërsa, opozita vazhdon të shprehë kritika ndaj kësaj marrëveshje, duke e vlerësuar si të parealizuar dhe të skaduar, pasi që nuk ka ndodhur zbatimi i saj i plotë tashmë 12 vite nga përfundimi i konfliktit.
Komuniteti ndërkombëtar vazhdon t’i japë një mbështetje të fortë marrëveshjes. Marrëveshja kornizë u arrit më 13 gusht 2001 në rezidencën presidenciale në Ohër, të cilën e firmosën ish-presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkovski, ish-lideri i VMRO-DPMNE dhe ish-kryeministri Lubço Georgievski, kryetari i PPD-së Imer Imeri, kryetari i PDSH-së Arbër Xhaferi dhe kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski. Garantues dhe firmosës së marrëveshjes ishin edhe përfaqësuesit special të SHBA-ve dhe BE-së, Xhejms Perdju dhe Fransoa Leotar. (INA)
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.