PS nuk i ndahet Berishës, ankimon vendimin për CEZ: Ta hetojë SPAK

Partia Socialiste ankimon në Gjykatën e Apelit vendimin për pushimin e çështjes së CEZ, vendimi i marrë nga Gjykata e Tiranës nga gjyqtari Lazër Sollaku, disa ditë më parë.
“Në cilësinë e përfaqësuesit të Kuvendit dhe të drejtuesit të komisionit hetimor për hetimin e CEZ kemi paraqitur kërkesën për të rishqyrtuar dhe hetuar se prokuroria e rrethit gjyqësorë Tiranë nuk ka kryer asnjë procedurë hetimor dhe se akti i Gjykatës është i pambështetur”, tha Taulant Balla. Padia është kryer në emër të Kuvendit, e në emër të këtij institucioni është kryer nga Taulant Balla, i cili më parë ka drejtuar komisionin hetimor parlamentar për privatizimin e OSSH nga kompania çeke CEZ. Pas hetimeve gati 3-vjeçare Gjykata e Tiranës vendosi pak ditë më parë të pushojë çështjen lidhur me procedurën e privatizimit të OSSH nga çekët e CEZ në vitin 2007.
“CEZ është një nga dosjet më të zeza të korrupsionit në Shqipëri, i ftoj ta lexojnë me vëmendje vendimin e gjykatës. Paraqitëm në apel kërkesën për rishqyrtimin. Është bërë në kundërshtim të fortë më ligjin, nuk ishte kryer asnjë bilanc energjetik. Prej vitit 2005 kemi identifikuar të gjitha negociatat e realizuara nga kjo kompani. Këto veprime i kanë kushtuar interesit të shtetit 414 milionë euro”, tha Balla.
Ai më tej shtoi se çështja u pushua nga gjyqtari Lazer Sallaku. “Prokuroria e Tiranës nuk ka bërë as edhe një veprim. Ish-kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha ka qenë një person me imunitet, gjyqtari i asaj kohe është kujdesur që ai të mos merrej në pyetje. Kallëzimi penal i kryer nga ana jonë rezulton të mos jetë fare i përfshirë emri i Sali Berishës. Ne kemi kallëzuar ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, vetë Prokuroria dhe Gjykata kanë administruar si të ligjshme të gjitha provat nga ana jonë. Nuel Kalaj dhe Sali Berisha nuk janë marrë në pyetje. Janë takuar me njëri-tjetrin dhe gjyqtari arrin në përfundimin se asnjë prej tyre nuk ka pasur komunikim”, tha më tej Balla.
Ndër të tjera ai theksoi se drejtësia e re po lind: “Do të përdorim të gjitha mekanizmat ligjorë dhe procedurat, do të përpiqemi që kjo çështje të hetohet. Tashmë tarifa e korrupsionit ka mbërritur në Shqipëri. Nuk mund të vazhdohet pa u marrë në pyetje drejtuesit më të lartë të kompanisë CEZ. Kjo çështje është e pa hetuar tërësisht nga ana e prokurorisë. Hetimi do të fillojë nga kryesori i hierarkisë, nga ish- kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se socialistët nuk do të tërhiqen nga kjo çështje, duke shtuar se hetimi nuk mund të merret më nga Prokuroria e Tiranës, por nga prokuroria speciale, SPAK.
“Siguroj opinionin publik që kjo çështje nuk mund të mbyllet është e pa hetuar nga Prokuroria, por qoftë në materialin e Komisionit Hetimor, por edhe në dosjen e gjyqtarit është tejet e qartë që personat e përfshirë në këtë çështje duhet të hetohen. Si në këtë vend deri në ngritjen e SPAK, të bësh një kallëzim penal dhe Prokuroria as mos thërrasë të kallëzuarin”, theksoi Balla.
Komisioni Hetimor i Kuvendit nga shqyrtimi i dokumentacionit që lidhet me privatizimin, shitjen e 76% të aksioneve të operatorit të sistemit të shpërndarjes OSHE sh.a ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ a.s-së, ka arritur në përfundimin se një sërë zyrtarësh të lartë të shtetit shqiptar gjatë viteve 2005-2013, duke qenë persona që ushtronin funksionet më të larta publike me veprime aktive dhe mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave të kundërligjshme me një dëm në shumën 57,931,041,292 lekë, ose 414 milion Euro.