LDK kundër Kurtit: Nuk e votojmë heqjen e pjesshme të taksës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdulah Hoti, tha të enjten mbrëma në një intervistë me televizionin T7 se “qëndrimi i zotit Kurti nuk është bashkërenduar me Lidhjen Demokratike të Kosovës” që është partner i koalicionit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë në mbledhjen e qeverisë propozimin e sotëm të zoti Kurti për heqjen e tarifave”, tha ai.
Më herët gjatë ditës ai shkroi në rrjetet sociale se “tarifa mbi mallrat serbe dhe boshnjake është pengesë e pakapërcyeshme për komunitetin ndërkombëtar, SHBA dhe BE. Çdo shtyrje për heqjen e tarifës komprometon seriozisht pozitën tonë negociuse në këtë dialog, dëmton raportin tonë me SHBA dhe BE, si dhe rrezikon një izolim për Qeverinë dhe vendin. Asnjë masë e jona e njëanshme nuk mund të mbroj apo avancoj pozitën tonë nëse ajo nuk mbështetet nga SHBA dhe BE. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të heqë tarifën famoze dhe kështu të ulet barabarsisht dhe me miqtë e saj në tryezën e Dialogut. Çdo alternativë tjetër rrezikon seriozisht të ardhmen e vendit”, shkroi ai.