Haradinaj: AAK nuk e voton të hënën qeverinë “Kurti”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga Lumbardhi i Deçanit pas ceremonisë me rastin e shënimit të 30 vjetorit të fillimit të aksionit për pajtimin e gjaqeve ka dhënë komentin e tij për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas RTK.
Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se e mirëpret këtë marrëveshje pasi Kosova është dashur të ketë qeveri pas 6 tetorit, kur edhe u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por forcat politike nuk arritën dot dakordësinë.
“Kosova është dashur të ketë qeveri pas 6 tetorit. Kanë qenë të paarsyeshme vonesat për mosarritjen e marrëveshjes. Është dashur qysh moti që tek ministritë të thonë se janë 15 ministri dhe jo të proklamojnë se janë 12”, tha Haradinaj.
Kryeministri në largim shtoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk do ta votojë qeverinë Kurti të hënën në Kuvend.