Analizë/ A do ja dalë Albin Kurti të sfidojë veten si kryeministër?

Pas disa muajsh takime, tryeza të përbashkëta, dhe bisedimesh të dështuara mes dy partive në Kosovë, më në fund u gjet dakordësia e krijimit të qeverisë së re.

Dhe ashtu siç edhe pritej tashmë Albin Kurti do të jetë kryeministër i Kosovës për një mandat 4-vjeçar. I ardhur nga terreni i shoqërisë civile si një aktivist mjaft i spikatur në “luftën” e tij kundër sistemit serb të Millosheviçit, Albin Kurti, për vite të tëra do t’u qëndronte besnik kauzave të tij ndër vite duke rritur shpresat dhe pritshmëritë tek mbështetësit dhe qytetarët shqiptarë në Kosovë.

Ndaj edhe me ardhjen në pushtet të tij tashmë të gjithë presin të shohin sesa besnik do të vazhdojë t’u qëndrojë Albin Kurti premtimeve, diskurit, dhe artikulimeve të tij publike mjaft të forta që kë bërë herë pas here.

Por siç edhe dihet, Kurti, e merr qeverisjen e Kosovës mes shumë sfidave. Referuar kështu edhe situatës politike që “gëlon” në të gjitha viset shqiptare dhe në tërësi në Ballkan.

Sfida e parë e Albin Kurtit është negocimi i taksës 100% të vendosur nga ish Kryeministri Haradinaj ndaj mallrave serbe. Në fillim Kurti nuk e mbështeti tërësisht këtë lëvizje të Haradinajt, por më pas e miratoi këtë veprim si të vetmen mënyrë për të fituar reciprocitetin përballë veprimeve të shtetit serb.

Një sfidë tjetër me të cilën do ta përballë posti i kryeministrit Albin Kurtin është padyshim luftimi i korrupsionit dhe oligarkisë në vend. Çështje për të cilën ai është prononcuar jo pak herë, madje duke e kthyer në artikulim politik gjatë gjithë fushatës së tij zgjedhore.

Kjo tashmë duhet pranuar që është një sfidë e vështirë për të, aq më tepër kur në koalicionin qeverisës ka edhe një parti si LDK-ja e cila ka qenë disa herë në qeveritë e mëparshme. Fakt ky që do ta vështirësojë qeverisjen e tij, sepse një pjesë të pushtetit do ta kenë edhe “oligarkët e LDK”.

Gjatë qeverisjes së tij, Albin Kurti, do duhet të përballet në mënyrë të paevitueshme edhe me premtimin e dhënë të tij gjatë fushatës zgjedhore se nuk do të ulet në tryezën e diskutimeve me Serbinë, veçse si i barabartë.

Kjo pra nënkupton që Serbia duhet të pranojë e të njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës. Gjë që duhet thënë ka pas ose aspak gjasa të ndodhë.

Albin Kurti gjatë ushtrimit të pushtetit të tij në krye të qeverisë së Kosovës do duhet të përballet me një nga sfidat më të mëdha që ka jo vetëm Kosova, por thuajse i gjithë Ballkani. Largimi i “trurit” dhe në përgjithësi i popullsisë do të kërkojë vullnet dhe ngjallje shprese nga qeveria e re.

Liberalizimi i vizave dhe integrimi i mëtejshëm në Bashkimin Evropian, është dhe mbetet edhe për Kurtin një sfidë e vazhdueshme nga ku qytetarët presin që qeveria e re të bëjë më shumë.

Minimalisht presin liberalizimin e vizave dhe ma pas marrjen e statusit të vendit kandidat. Këto veprime do duhet të kalojnë nëpërmjet lëshimesh dhe tërheqjesh nga premtimet e dhëna të Kurtit, pasi këto vendime merren në mënyrë unanime nga Këshilli Evropian.

Në fund por jo më pak e rëndësishme, një betejë me të cilën do duhet të përballet Albin Kurti gjatë qeverisjes së tij në krye të Kosovës, është edhe marrëdhënia që ai do duhet të mbajë në raport me veprimet e qeverisë së Edi Ramës, por edhe me “Minishengenin Ballkanik” në të cilin kujtojmë këtu që drejtuesit e mëparshëm të qeverisë së Kosovës kanë refuzuar të marrin pjesë.

Sesa i zoti do të tregohet Albin Kurti t’i tejkalojë këto sfida, do të na duhet tashmë të presim e të shohim veprimet e tij.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT