Policia e prangosi me identitet të rremë, jeta e Kid Kazazit mes politikës dhe krimit! Përfshirja e të riut nga Kavaja në sherret banale dhe tentativa për vrasje

Kid Kazazi, një 30 vjeçar me banim në Kavajë, është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga shërbimet e Komisariatit Nr.2 në Tiranë, teksa u ka dhënë efektivëve dokumente të rreme identifikimi, që i përkisnin një shtetasi tjetër.
Ai ishte në kërkim për një vrasje të mbetur në tentativë në qytetin e Durrësit, pak muaj më parë, ku i plagosur mbeti Arbër Goreja, ndërsa dy fëmijët e mitur që ky i fundit kishte në makinë, u shpëtuan për mrekulli plumbave.
Kid Kazazi ka qenë dhe ish-kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Kavajë. Në Tiranë, në zonën e “Komunës së Parisit”, 30 vjeçari është ndaluar në makinë me Ferhat Kajën, i cili rezulton se është pronar i rrjetit të lokaleve “Stockholm”.
Jeta e hershme e 30 vjeçarit mes angazhimit në politikë dhe krimit
Gati një dekadë më parë, Kid Kazazi ka qenë drejtues i Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe angzhimi i tij me strukturat e kësaj force politike në qytetin bastion të së djathtës, është ndërprerë për shkak të ngjarjeve ku ai është përfshirë.
Plagosja në 2016
Një konflikt banal për një vend parakimi përpara biznesit të familjes Kazazi në Kavajë, u bë shkak që në qytetin e vogël jo shumë larg nga Tirana të shkonte vetë me urgjencë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.
Kiz Kazazi dhe babai i tij Eqeremi i kishin kërkuar bashkëshortes së një personi të afërt me kryebashkiakun Elvis Roshi që të mos e parkonte makinën para biznesit të tyre dhe kjo e fundit menjëherë e kishte lajmëruar. Sajmir Kurti mbërrin në ambientet e biznesit dhe konfliktohet me Kazazët.
Ata i marrin armën e zjarrit që mbante me vete por gjatë përleshjes, Sajmir Kurti arrin ta marrë sërish dhe hap zjarr duke plagosur Kid Kazazin dhe babain e tij, si dhe një tregtar ambulant. Ngjarja nuk kishte ngjyra politike dhe këtë e pranoi dhe vetë Kid Kazazi.
Tentativa e vrasjes një dekadë më pas
Në Maj 2025, Kid Kazazi përfshihet në konflikt në zonën e Fllakës me një person tjetër, teksa të dy udhëtonin me automjet paralel. 30 vjeçari gjatë parakalimit me makinë, ka shtënë disa herë me pistoletë në drejtim të automjetit tjetër, duke plagosur shoferin Arbër Goreja.
Ai tha fillimisht se me Kid Kazazin nuk kishte asnjë konflikt dhe nuk njiheshin, ndaj deklaroi se mund ta kishte ngatërruar me ndonjë person tjetër, ndaj e kishte qëlluar. Mirëpo, nga burimet policore rezultoi se Arbër Goreja gjatë debatit për një parakalim me makinë, kishte qëlluar me grusht të atin e Kid Kazazit, shtetasin Eqerem Kazazi.
I biri i është vënë pas me makinë dhe në aksin rrugor “Katër Rrugët e Fllakës–Katund Sukth”, ka qëlluar ndaj tij me pistoletë. Arbër Goreja mbeti i plagosur me një plumb që i përshkoi brinjët, ndërsa dy fëmijët e mitur që kishte në makinë, shpëtuan për mrekulli.
Prangosja te “Komuna e Parisit” me Ferhat Kajën
Prej Majit 2025, Kid Kazazi ishte në arrati dhe mësohet se fshihej në Tiranë, ku lëvizte me një identitet të rremë të një personi tjetër. Kartën e identitetit dhe patentën e dyshuar të falsifikuar, ai ua kishte treguar policëve, të cilët në fakt e dinin për se me kë kishin të bënin dhe e arrestuan menjëherë.
Në Tiranë, në zonën e “Komunës së Parisit”, 30 vjeçari është ndaluar në makinë me Ferhat Kajën, i cili rezulton se është pronar i rrjetit të lokaleve “Stockholm”.
Ferhat Kaja, 31 vjeç, është arrestuar gjithashtu nga efektivët, sepse nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka përkrahur dhe ndihmuar Kid Kazazin të fshihej. Gjatë kontrollit fizik, atij i është gjetur dhe një sasi municioni luftarak.
© Newsbomb.al