Shqiptarët “ngrenë zërin” në sheshin “Skëndërbej”, kërkohet ndërhyrja e qeverisë shqiptare për lirimin e aktivistit Baki Goxhaj

Pasditen e kësaj të hëne, dhjetëra qytetarë kanë protestuar në zemër të kryeqytetit shqiptar duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë shqiptare për lirimin e Baki Goxhajt, i cili është arrestuar së bashku me aktivistë të tjerë në ujërat ndërkombëtare nga forcat izraelite.
Qytetarët kërkojnë një reagim të menjëhershëm nga qeveria shqiptare për rastin e aktivistit Gpxhaj.
Ditën e djeshme, forcat izraelite ndaluan aktivistin shqiptar Baki Goxhaj, i cili ndodhej në bordin e flotiljes humanitare “Global Sumud”, një mision ndërkombëtar i nisur drejt Gazës me qëllim dërgimin e ndihmave për popullsinë civile të prekur nga lufta.
Flotilja ishte nisur nga zona e Marmarisit në Turqi dhe përbëhej nga 54 anije me rreth 426 aktivistë nga 39 vende të botës. Sipas organizatorëve, misioni kishte për synim të tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare mbi situatën e rëndë humanitare në Gaza dhe të dërgonte ndihma për civilët e mbetur nën bllokadë.
Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë deklaruar se nuk do të lejojnë asnjë shkelje të bllokadës detare ndaj Gazës, duke e konsideruar flotiljen një veprim provokues. Marina izraelite ndërhyri në Mesdheun lindor, ku sipas organizatorëve janë ndaluar të paktën 28 anije të flotiljes, ndërsa pjesa tjetër vazhdon lundrimin.
Në lidhje me ndalimin e aktivistit shqiptar ka reaguar dhe gruaja e tij, Eriselda Balliu e cila është shprehur se nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Ajo shpjegon se procesi ka nisur që ne muaj mars.
“Rreth orës 10 të mëngjesit kemi humbur kontaktet. Nuk kemi asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Bakiu kishte rreth 3 javë që ishte bërë pjesë e misionit të flotiljes ndërkombëtare, ku ndodheshin anëtarë nga 50 shtete të ndryshme dhe nga Shqipëria, për herë të parë, ishte Bakiu. Procesi ka nisur në muajin mars dhe nevoja për të qenë pjesë e kësaj ishte për shkak të asaj që kemi parë aq rëndë në këto 2 vite e gjysmë gjenocid.”- tha Eriselda ditën e djeshme.