Reforma Zgjedhore/ A është zgjidhje krijimi i “qeverisë teknike” para zgjedhjeve?

Nga Edison Balla

Sa herë afron afati i zhvillimit të zgjedhjeve në vend, qoftë atyre qendrore apo edhe atyre vendore gjithmonë lind shqetësimi sesi partia në pushtet pavarësisht kush është ajo, do të përdorë aparatin shtetëror dhe infrastrukturën.

Thuajse gjithmonë pas zgjedhjeve pavarësisht se kush fiton, partia apo partitë që mbeten në opozitë akuzojnë mazhorancën se ka përdorur shtetin për të fituar zgjedhjet apo ka vëbnë në lëvizje administratën publike për të maksimizuar votat. Gjë e cila duhet thënë është e dënueshme ligjërisht.

Por edhe përtej kësaj duhet të themi për hir të së vërtetës se këto akuza në të shumtën e rasteve kanë qenë reale. Se sërish në të shumtën e rasteve, partia që ka qenë në pushtet, kushdo të ketë qenë ajo ka përdorur infrastrukturën dhe aparatin shtetëror për të marrë sa më shumë vota apo duke ndikuar në mënyra të tjera për të dëmtuar kundërshtarin.

Problem ky i ngritur edhe nga insitucionet ndërkombetare evropiane dhe jo vetëm, që e cilësojnë administratën shtetërore në vend si shumë të politizuar. Pikërisht për këtë arsye një nga pesë kushtet kyçe për Shqipërinë për integrimin evropian, vazhdon të mbetet depolitizimi i administratës publike. Kusht ky madje i vendosur edhe nga Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Ndaj edhe krijimi i një qeverie teknike në kohë zgjedhjesh disa muaj para zjvillimit të tyre, është parë dhe analizuar si një zgjidhje që do të mund të “dobësonte” ndikimin e qeverisë në fushatën elektorale dhe procesin zgjedhor. Kërkesë kjo duhet thënë e artikuluar disa herë edhe nga opozita aktuale.

Duket se këtë kërkesë e kishte marrë më në fund parasysh edhe Komisioni aktual që po merret me hartimin e reformës zgjedhore. Në draftin e ndryshimeve të propozuara nga mazhoranca, është parashikuar edhe krijimi i “qeverisë” teknike 6 muaj para zgjedhjeve. Por mesa duket  nuk është qeveri teknike siç në kuptimin që ne njohim.

Në propozimin e mazhorancës thuhet thjeshtë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka të drejtë të kontrollojë aktivitetin e qeverisë dhe insitucioneve të saj 6 muaj para zgjedhjeve, madje edhe të anulojë aktivitete nëse vërteton apo çmon se një aktivitet ka natyrë politike dhe cënon zhvillimin e zgjedhjeve të lira.

Kjo është e vetmja klauzolë e parashikuar që nga mazhoranca në Komisionin Zgjedhor është cilësuar edhe si “qeveri teknike”. Por a mundet kjo e ashtëquajtur “qeveri teknike” të ndalojë përdorimin e administratës publike apo aparatit shtetëror në zgjedhje?

Kjo pyetje e merr përgjigjen me faktin që antarët e KQZ-së janë akoma njerëz politikë të emëruar nga vetë partitë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT