Për ata që karantina u duket “diktaturë”

Nga Mero Baze

Ka një përpjekje të njerëzve që përfaqësojnë në publik qëndrimet politike propogandistike të PD, për të bërë si të revoltuar për humbje të lirisë qytetare nga karantina. Gati, karantinimi i shqiptarëve po shikohet më shumë si një projekt politik për të testuar “diktaturën”, se sa një projekt bazik, i çdo manuali të epidemiologjisë në botë.

Eshtë akoma më qesharake pastaj thirrja për revoltë, për të thyer karantinën. Përveç anës komike, ajo ka dhe anën tragjike të saj, pasi të rrezikuarit e parë janë vetë ata, apo familjarët e tyre.

Por le ta quajmë frustrim psiqik këtë të fundit, se karantina nuk është gjë e lehtë. Ka dhe ajo pasojat e saj mendore apo politike. Të gjithë po shikojmë si Shkodra po e vuan këtë të dytën.

Por kjo teoria e madhe e konspiracionit, se Edi Rama po teston diktaturën përmes karantinës, tregon në të vërtetë thelbin e mendimit politik shterp, të opozitës sonë.

E vërteta e hidhur për opozitën, është se Edi Rama me kriteret e tyre, e ka vendosur diktaturën para karantinës dhe nuk ka pritur karantinën të mundë opozitën. Ai ka zmbrapsur revolucionin e tyre me molotov, ka zmbrapsur djegien e mandateve, ka zmbrapsur bojkotin e zgjedhjeve, ka përballuar tërmetin shkatërrimtar të nëntorit, duke fituar një mbështetje të pazakontë financiare, dhe e ka gjetur më të fortë se kurrë epidemia e COVID 19.

D.m.th, për çfarë mund të quhet “diktaturë” në këtë sistem demokratik, Edi Rama e ka arritur para COVID 19. E ka gjithë pushtetin qëndror, gjithë pushtetin vendor, dhe qeveris në një shtet, që operon mbi gërmadhat e një sistemi të rrënuar drejtësie, në pritje të ngritjes së drejtësisë së re.

Unë nuk e di çfarë i duhet karantina Edi Ramës, që të ketë më shumë pushtet, apo më shumë fuqi politike sa ka.

Paradoksi është se karantina, është një revolucion demokratik i Zotit sa i përket lirive, pasi para saj, janë të gjithë të barabartë, demokratë e socialistë, të rinj e pleq, pushtetarë apo të papunë, milionerë apo të pangrënë. Demokracia e vërtetë sociale në Shqipëri është karantina, pasi këtu jemi të gjithë të baratë.

Jashtë karantinës, d.m.th para saj, në fakt nuk janë të gjithë të barabartë në raport me Edi Ramën. Ai i ka të gjitha dhe opozita nuk ka asgjë, natyrisht për faj të saj.

Ndaj nuk i kuptoj këta dishepujt e frymëzimit politiko- propagandistik të PD, pse u është mbushur mendja që karantina është diktaturë e Edi Ramës dhe pjesa para karantinës ka qenë liri e tyre për të humbur.

E kundërta është  e vërtetë. Kur e kishin në dorë të ishin të barabartë, bile fitues me Edi Ramën, i humbën të gjitha. Shyqyr që Zoti u solli karantinën dhe tani jeni të barabartë me Edi Ramën. Ai në Surrel duke ju folur nga bunkeri e ju në apartamente apo në vila, duke e sharrë me libër shtëpie. Lusni Zotin të zgjasë karantina, të dukeni të barabartë. Se pastaj do jeni prapë pakicë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT