“Lobimi rus”, Prokuroria e Tiranës “kujtohet” të apelojë dosjen e Bashës

Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e Gjykatës për të pushuar çështjen në ngarkim të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD.
Më 13 janar, Gjykata e Tiranës vendosi të pushojë hetimin e nisur ndaj kryedemokratit për “falsifikim dokumentesh” në lidhje me lobimin e kryer nga PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendimi u dha nga gjyqtari Lazer Sallaku në përfundim të seancës paraprake, në të cilën Lulzim Basha nuk ishte i pranishëm dhe u përfaqësua nga avokatët Eduard Halimi dhe Ivi Kaso.
Gjyqtari Sallaku u përball me dy qëndrime nga tre prokurorët e çështjes, ku prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha kërkuan kalimin e dosjes në gjykim për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa prokurori Kolë Hysenaj, kthimin e dosjes për plotësim hetimesh.
Nga ana tjetër, avokatët e të pandehurve kërkuan pushimin çështjes, kërkesë që u pranua nga gjykata. Për avokatin Halimi, vendimi i gjykatës ishte një vendim drejtësie.
Prokuroria e kishte marrë nën hetim Bashën dhe dy zyrtarë të tjerë të PD, pasi sipas saj kishte gjetur elementë të veprave penale “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, por rrëzoi akuzën për pastrim parash, që ishte edhe akuza kryesore.