Kriza që solli 30 qershori/ A është një “premtim” i mbajtur nga Rama dhe Basha?

Në zgjedhjet vendore që do të zhvilloheshin në 30 qershor të vitit që lamë pas, dukej qartë që mazhoranca dhe opozita do të ishin më të ndara se kurrë.
Në fakt kjo ndarje mes tyre kishte nisur muaj para zgjedhjeve. E në gjithë ato muaj opozita shqiptare kishte marrë vendime të rëndësishme për veten dhe ekzistencën e saj politike.
Ajo tashmë në bllok kishte vendosur lënien e madateve të saj parlamentare, dhe daljen thujse tërësisht nga sistemi. E vetmja zgjidhje tashmë për të ishte rruga dhe protestat anti-qeveritare. E ndërsa data e zgjedhjeve vendore po afronte, pjesëmarrja e opozitës ishte në një pikëpyetje të madhe.
Kjo pasi opozita kishte vendosur kushte të vështira mesa dukej për qeverinë, por edhe kjo e fundit ishte e vendosur për të mos bërë asnjë lëshim në drejtim të kërksave të opozitë së bashkuar.
Qëndrimi i opozitës ishte tashmë i qartë: ajo nuk do të merrte pjesë në zgjedhje pa u larguar më parë kreu i qeverisë, Edi Rama. Ndërkohë nga ana tjetër Kryeministri kishte paralajmëruar më herët që jo vetëm nuk do të jepte dorëheqjen, por do të shkonte në zgjedhje edhe si parti e vetme nëse opozita nuk merrte pjesë.
Dhe në fakt kështu ndodhi. 30 qershori erdhi dhe zgjedhjet u bënë. Kjo ishte një betejë për ekzistencë mes dy kryetarëve të partive, Ramës dhe Basha. Kjo sepse Basha prej muajsh deklaronte hapur që opozita nuk do të merrte pjesë në zgjedhje nëse nuk largohej më parë Rama, pasi e shihte këtë të fundit si një rrezik për zhvillimin e zgjedhjeve.
Ndërkohë Rama ishte i vendosur dhe i kishte premtuar elektoratit të tij zgjedhje edhe nëse opozita nuk do të merrte pjesë.
Beteja ishte e fortë mes të dy liderëve! Nëse njëri prej tyre tërhiqej nga “premtimi” që i kishte bërë elektoratit rrezikonte që të eliminonte veten nga skena politike. Ndaj siç dukej të dy e mbajtën fjalën.
Rama zhvilloi zgjedhje i vetëm, duke u bërë kështu shteti i vetëm evropian që bën “zgjedhje” me veten dhe ka tashmë një hartë të qeverisjes vendore tërësisht moniste dhe me nje ngjyrë, e nga ana tjetër Basha mbajti “premtimin” për të mos u futur në zgjedhje me Ramën kryeministër. Në njëfarë forme, të dy dolën të larë nga kjo punë para elektorateve të tyre përkatëse.
Por a i shërbeu kjo Shqipërisë dhe shqiptarëve? Mesa duket kjo është e vetmja llogari që duket se është “harruar” të bëhet në gjithë këtë betejë e tymnajë politike.