Janullatos: Persona të feve të tjera po sulmojnë kishën ortodokse
- Kryepeshkopi tha se po shkatërrohet harmonia fetare në Shqipëri. “Dhuratën më të madhe në Shqipëri duan ta shkatërrojnë persona të feve të tjera, duke sulmuar Kishën Ortodokse”
Në meshën së fundit në Kishën “Ringjallja”, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, nuk kurseu t’i kundërpërgjigje ashpër sulmeve që, sipas tij, po kryhen mbi Kishën Ortodokse. Janullatosi nuk ngurroi të krahasonte “metodat e sulmeve” ndaj Kishës Ortodokse me persekutimin që iu nënshtrua feja gjatë kohës së komunizmit. Janullatosi nënvizoi faktin se, kohët e fundit, arti u përdor për të denigruar jo vetëm priftërinjtë ortodoksë shqiptar, por edhe shenjtorët. “Kohët e fundit sulmuan Kishën Ortodokse nën maskën e artit. U përpoqën të bëjnë qesharakë jo vetëm klerikë priftërinj, por edhe shenjtorë. Më parë një regjisor bëri një film me gënjeshtra dhe e transmetoi edhe jashtë vendit, gjoja për të nderuar vendin tonë dhe pa që kishte reagim të qartë të ortodoksëve, edhe nga Korça edhe nga Berati. A thua se Shqipëria nuk ka probleme si droga, korrupsioni, vjedhjet e trafiku, që arti i tyre të merret me Kishën Ortodokse”, u shpreh kleriku ortodoks. Janullatosi vuri theksin mbi atë që ai e quajti si shkatërrim të harmonisë ndërfetare në Shqipëri, duke cilësuar shkak sulmet që fetë e tjera po i bëjnë Kishës Ortodokse. “Dhuratën më të madhe në Shqipëri duan ta shkatërrojnë, dhe këtu e kam fjalën për harmoninë ndërfetare. S’mund të ketë harmoni fetare, kur persona të feve të tjera sulmojnë Kishën Ortodokse”, tha Janullatos. Në përfundim të fjalës së tij, kryepeshkopi la të kuptojë se e ardhmja e Shqipërisë varet nga ruajtja e shenjtorëve ortodoksë. “Le ta mësojnë të gjithë se nuk kemi frikë. Nuk do lemë që shenjtorët t’i shkelin me këmbë, se kështu shkelin të ardhmen e vetë Shqipërisë”.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.