Mogherini mbledh liderët e Ballkanit Perëndimor, Rama nuk pranon të shkoj

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen këtë mërkurë në Bruksel, me ftesë të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Në këtë takim do të jenë të ftuar tre presidentë dhe tre kryeministra të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Mogherini ka ftuar presidentin kosovar Hashim Thaçi, presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe presidentin malazez Milo Gjukanoviç, kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryeministrin maqedonas Zoran Zaev dhe kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës Denis Zvizdiç.

Sipas burimeve të Report Tv, kryeministri Edi Rama nuk do të marrë pjesë në këtë takim pasi do të jetë pjesë e një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, në kuadër të tetë kërkesave të parashtruara përgjatë protestës studentore në vend.

Edhe Rtk shkruan se “deri tani vetëm kryeministri shqiptar, Edi Rama, nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen për shkak të protestave të studentëve”.

Ulja e Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiç në një tavolinë të përbashkët për zhvillimet e fundit, vjen një ditë pas përballjes së tyre në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku diskutuan mbi vendimin e Parlamentit të Kosovës për shndërrimin e FSK-së në Ushtri.

Kjo është hera e parë që Federica Mogherini organizon një format të kombinuar me liderët e Ballkanit Perëndimor, pasi më herët ajo ka pasur vetëm takime të ndara të presidentëve dhe kryeministrave./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT