Arsimi i lartë publik/ Ka para për ruajtjen fizike të godinave, por jo për shkencën

Në fushatën elektorale të vitit 2013 opozita e atëhershme dhe qeveria e sotme, do të premtonte rritje të buxhetit për arsimin e lartë në vend. Historikisht, të gjitha qeveritë i kishin dedikuar arsimit 3% të GDP-së vjetore, ndërsa nga qeveria e majtë u premtua që kjo shifër të shkonte në 5%.

Në fakt ky premtim nuk u realizua. Por përtej kësaj, në këtë artikull ne do të përqendrohemi tek mënyra e menaxhimit të buxhetit të vetë universiteteve publike të vendit, që në kuadër edhe të ligjit të vitit 2015 universitetet gëzojnë autonomi universitare edhe në drejtim të menaxhimit të buxhetit të tyre.

Sipas një raporti të Organizatës “Qëndresa Qytetare” e cila merret prej kohësh tashmë me çështje problematike të arsimit të lartë publik dhe jo vetëm, bëhet me dije se pjesa më e madhe e buxhetit të universiteteve publike shkon kryesisht për siguri fizike dhe pajisje zyrash. Një mentalitet ky i vjetër për shpërdorimin e fondeve nga zyrtarët publikë.

Raporti nxjerr në pah se të shtatë universitetet publike në vend, vetëm për një vit kalendarik kanë shpenzuar plot 1 112 765 euro vetëm për rikonstruksion dhe mirëmbajtje godinash. Ndërkohë ekstremi tjetër është se për libra dhe publikime shkencore kanë shpenzuar vetëm 33 mijë euro.

Gjithashtu vazhdon raporti, shtatë universitetet publike kanë shpenzuar plot 1 835 612 euro për siguri fizike të godinave, ndërsa për punë dhe kërkim shkencor kanë shpenzuar vetëm 18 mijë e 500 euro. A thua se brenda universiteteve është depozituar ar e argjend dhe jo banka e karrige.

Drejtuesit e universiteteve në gjithë këtë keqmenaxhim të tejskajshëm që u bëjnë fondeve publike, nuk mund të harronin padyshim edhe “shpërblimet” për veten dhe stafin e tyre. Kështu, sipas raportit të Qëndresës Qytetare, shtatë universitet publike kanë shpenzuar 947 615 euro vetëm për shpërblime dhe honorare, po ashtu kanë shpenzuar 527 990 euro për dieta e udhëtime, dhe 29 mijë euro për karburant dhe servise për makinat e tyre.

Nga ana tjetër kanë zero lek për dixhitalizim sistemi për vlerësimin e studentëve, apo zhvillime të tilla të këtij lloji që do të ishin në të mirë të studentëve.

Mjafton kaq për të kuptuar papërgjegjshmërinë totale, dhe abuzimin ekstrem që bëjnë zyrtarët shtetërorë me fondet dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT