Thaçi ia bën të qartë Vucicit: S’ka kompromis pa njohje të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka reaguar Presidentit serb, Vucic, duke thënë se kompromisi pa njohje reciproke është provokime
Presidenti, Thaçi, ka shkruar në twitter se nuk mund të ketë kompromis pa njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe se pohimet e tilla janë provokim, duke iu kundërvënë Presidenti, serb, Vucic, i cili sot gjatë një interviste ka thënë se ne pranojmë çdo lloj kompromisi, duke përjashtuar njohjen e Kosovës.
“Mesazhet nga Beogradi që duhet të bëjmë kompromis pa njohje të Republikës së Kosovës janë provokime. Pavarësia e Kosovës është një kompromis. Dialogu është i mundur vetëm me një parim: dy vende që njohin njëra-tjetrën si fqinjë të barabartë, duke shkuar përpara drejt familjes euro-atlantike”, ka shkruar Thaçi.
Gjatë ditës, Presidenti serb, Vucic, në një intervistë për mediat greke ka thënë se jemi të gatshëm për çdo lloj kompromisi, por duke përjashtuar njohjen e Kosovës.
“Ne jemi të gatshëm dhe të hapur për bisedime dhe për çdo lloj kompromisi. Disa njerëz janë duke i përmendur disa modele të tjera, por nuk po na ofrojnë ndonjë gjë specifike. Nëse dikush mendon se mund të vijë në Beograd dhe të na thotë ta njohim Kosovën si një vend të pavarur , kjo nuk do të ndodhë”, është shprehur sot Vucic.
Messages from Belgrade that we have to compromise without recognition of Republic of Kosovo are provocations. Independence of Kosovo IS a compromise. Dialogue only possible on a principle: two countries recognizing each other as equal neighbors, moving twd Euro-Atlantic family.
— Hashim Thaçi (@HashimThaciRKS) December 11, 2019