Shengeni Ballkanik, Basha: Sfidon BE-në, na orienton drejt Rusisë

Lulzim Basha paralajmëron se nisma për Shengenin Ballkanik kërcënon orientimin perëndimor të Shqipërisë dhe rrezikon që ta hedhë vendin në drejtim të Rusisë.

“Pavarësisht retorikës pro-perëndimore, gjatë viteve të fundit Serbia ka thelluar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë duke ndërmarrë manovra të përbashkëta dhe bërë blerje masive armatimi. Të gjitha këto veprime të Serbisë hedhin hije dyshimi mbi orientimin gjeopolitik të një blloku të ri shtetesh ballkanike ku shteti më i fuqishëm që shërben si lokomotivë e kësaj nisme, flirton haptazi me Rusinë dhe nuk e ka të sinqertë orientimin drejt perëndimit”, deklaroi ai përmes një postimi në rrjetet sociale.

Për të përforcuar këtë ide, Basha sjell në vëmendje ngurrimin e Malit të Zi dhe të Bosnjes për t’u bërë pjesë të kësaj nisme. “Çka dëshmon se kjo iniciativë rajonale me pjesëmarrje të gjymtuar i ka gjasat e mëdha që të dështojë pa u formuar mirë”, deklaron ai.

Basha e cilëson nismën për Shengenin Ballkanik si të panevojshme dhe e vlerëson qëndrimin e Qeverisë shqiptare ndaj Kosovës për këtë temë si të papranueshëm dhe aspak strategjik për shqiptarët.

“E konsideroj të papranueshëm moskonsultimin e qeverisë shqiptare me Kosovën për këtë iniciativë dhe bërjen pjesë të saj pa e kushtëzuar paraprakisht pjesëmarrjen e Shqipërisë me praninë e Kosovës. Këto qëndrime bien ndesh me parimet e partneritetit strategjik për të cilat qeveria e Shqipërisë është zotuar disa herë gjatë mbledhjeve me qeverinë e Kosovës. Ato shkelin hapur marrëveshjen dyshtetërore për unifikimin dhe koordinimin e politikës së jashtme të dy vendeve tona. Për ne është e pashpjegueshme nevoja për një nisëm të re rajonale, ndërkohë që për këto qëllime kemi nisma të tjera me synime të ngjashme, siç është CEFTA e cila është dëshmuar tashmë si model i suksesshëm për integrimin rajonal dhe përgatitjen e të gjitha vendeve të Europës Qendrore e Lindore për integrimin në BE”, deklaron kreu i PD.


Në vend të Shengenit Ballkanik, Basha propozon që energjitë e Shqipërisë të përqëndrohen në zgjerimi i marrëveshjes CEFTA, duke përfituar nga fakti që Shqipëria ka presidencën e radhës.

“Është papërgjegjshmëri dhe dështim i kësaj qeverie fakti që pikërisht gjatë vitit kur Shqipëria ka presidencën e CEFTA-s, në vend që ta konsolidojë këtë organizatë e të nxisë zgjerimin me vende të tjera që aspirojnë integrimin europian si Ukraina apo Gjeorgjia, kjo qeveri po e saboton këtë organizatë duke shtyrë përpara një nisëm të re që e rivalizon dhe i mbivendoset”, deklaron ai.

Për kreun e opozitës, koha kur u propozua dhe u shty përpara nisma për shengenin ballkanik është e dyshimtë.

“Po kaq shqetësues është fakti se kjo nismë u propozua pas refuzimit të BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, sepse lë përshtypjen e krijimit të një blloku të ri ekonomik dhe politik si alternativë apo sfidë ndaj Bashkimit Europian”, mendon Basha.

Prandaj e gjithë kjo seri takimesh duket se është propagandë që synon të largojë vëmendjen nga dështimi me hapjen e negociatave si dhe nga keq-qeverisja socialiste që po shkakton gjithmonë e më shumë kosto tek çdo qytetar.

Një tjetër paralajmërim i kreut të PD është edhe rreziku që shengeni ballkanik të penalizojë integrimin e vendit në Bashkimin Europian. “Ne besojmë se Shqipëria nuk duhet të pranojë një ofertë alternative degraduese të integrimit por duhet të vazhdojë të synojë që të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian”, vijon Basha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT