REPLIKAT/ Hajdari: Shqipëri po rrëshqet në Putinizëm, tërhiquni nga paketa. Rama: S’ja ke haberin, thua përralla, mos u duk qesharake!

Replika të nxehta mes deputetes së Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, e cila ka dalë kundër paketës Anti-Shpifje që miratohet sot në Kuvend. Hajdari, mori fjalën menjëherë pas mbrojtjes së parë që Rama i bëri paketës dhe tha se qeveria duhet të tërhiqet, pasi me këtë paketë po rrëshqet drejt Putinizmit. Ajo rrëfeu edhe bisedën që kishte pasur me Presidentin Ilir Meta pak javë më parë.
“Jeni i lodhur se keni 6 vite në qeveri, që flisni pa fund, pa limit, dilni në cdo televizion shpikni cdo lloj platforme për të bërë propagandë me arrogancë që nuk është parë në vite. AMA, AKEP dhe KAA brenda AMA-s janë borde të kontrolluara nga politika. Edhe në kushtet që thoni ju dhe unë. Edhe krimineli ka të drejtat e tij, prandaj unë do të mbroj kushtetutën dhe këtë po kërkoj. E di se cfarë është bërë në këtë parlament dhe sa herë kam goditur. Vetëm pak muaj më parë isha në zyrën e Presidentit dhe më tha ‘Rudina nuk ke bërë mirë, më ka ngelur hatri me ju’
Pse i thashë? ‘Sepse më ke goditur’. I thashë edhe mua me ju më ka mbetur hatri dhe kjo është reciproke, sepse ke bërë një gabim fatal. Ju duhet të ishit i pari që duhet të më kishit thirurr kur nuk dogja mandatin. Pse pritët 8 muaj të më thonit bravo të qoftë. Pse lejuat si PD-ja dhe cdo person militant të më delegjitimonte mua si e bija e Azem Hajdarit.
Cdo individ ka të drejtë të shprehë fjalën e lirë. Koha do të jetë ajo që do i tregojë të gjitha. Paketa anti-shpifje e con vendin drejt një Putinizimi dhe Erdoganizimi, i kthen kurrizin BE-se. Nuk duhet të jetë politika që duhet të kontrollojë mediat. Keni akoma kohë të tërhiqeni dhe ta rishikoni, ka nevojë për amendime. Vërtetë ka ankesa dhe mundësi për të parë si mund të shikojmë mediat online si financohen. Janë disa cështje të nxehta që ju i përmendët. Mos qani hallet e mia, unë qaj hallet e shqiptarëve” tha ajo.
Kaq ka mjaftuar që kryeministri të ngrihet dhe t’i përgjigjet Hajdarit me një fjalim të gjatë. Rama, e nisi fjalën e tij duke përmendur një shprehje të avokatit Spartak Ngjela, e më pas i tha Hajdarit se i kujton Sali Berishën. Nuk harroi as t’a ofendonte kur i tha se nuk e ka lexuar ligjin, e nuk ia ka haberin, ndërkohë që i bëri një “intimidim” Hajdarit kur i tha se “Je deputete, si del e flet në hava. Ku e nxorre këtë që unë shpifkam gjithë ditën. Nëse unë të dukem shpifje, është perceptim. Ju thoni, ra tërmeti, po mos u merrni, po me se të merremi? Me ty? Po ja se u morëm me ty, po s’na del gjë.”, apo kur i bëri thirrje të mos dukej qesharake.
PJESË NGA FJALA E KRYEMINISTRIT EDI RAMA:
Zonja Hajdari, po të bëja replikën në një fjali do t’i referohesha avokat Ngjelës dhe do të thoja: Amanet Mushkat. Por unë do e shtoj edhe ca. Më nxorre mallin e liderit legjendar të Partisë tënde që thoshte je i lodhur, ka ikur koha juaj. Mua më dukeni e freskët ju zonja Hajdari, dhe koha juaj s’ka ardhur ende. Por nuk është mënyra që bëhet politikë e re, pa lexuar ligjin, se nuk ia ke haberin fare ligjit dhe më vjen keq që nuk e plotësoj dëshirën tuaj për t’u tërhequr urgjentisht.