Thyen masat kundër COVID-19, policia gjobit 262 shtetas dhe 41 drejtues mjetesh (video)

Policia e Shtetit ka ndëshkuar në 24 orët e fundit 41 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim-qarkullimit si dhe gjobitur 262 shtetas, të cilët lëviznin pa leje dhe arsye emergjence. Uniformat blu janë mobilizuar për zbatimin e masave, ndërsa vendi po përballet me pandeminë e COVID-19.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 41 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.
Në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, konkretisht: E. Q. dhe R. B., të dy banues në Tiranë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse të drejtimit; A. G., banues në Tiranë, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe pa autorizim lëvizjeje, si dhe i ka paraqitur punonjësve të Policisë mjetin e identifikimit të një shtetasi tjetër.
Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 262 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu është dënuar me masë administrative 700.000 lekë, shtetasi O. A., banues në Lushnjë, pasi ka ardhur nga një vend i prekur nga COVID-19 dhe ka shkelur rregullat e vetëkarantinimit, duke dalë jashtë ambienteve të banesës.
Në Durrës janë arrestuar në flagrancë, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, shtetasit O. P. dhe M. P., banues në Durrës, pasi kur punonjësit e Policisë u kanë kërkuar autorizimin e lëvizjes, të cilin ata nuk e kishin, dhe më pas mjetin identifikues për plotësimin e masës administrative, këta shtetas nuk kanë pranuar dhe i kanë fyer dhe kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.
“Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 6 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 5 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020. Në Kukës është proceduar penalisht shtetasi D. K., banues në Bajram Curri, pasi në këtë qytet u konstatua i hapur lokali i tij, i cili ishte i papajisur me NIPT.” njofton policia.