“SPAK hapi për herë të parë një dosje në Vlorë”, gazetari bën deklaratën e fortë: Inez Hajrulla, njeriu që ruhet më shumë në Shqipëri! Lëviz me autokolonë të blinduar

Gazetari i njohur i kronikës, Sokol Bregu është shprehur mbrëmjen e kësaj të enjte se Inez Hajrulla, një eksponent i lartë i krimit në qytetin bregdetar të Vlorës, është një nga njerëzit që ruhet më shumë në Shqipëri.

Sipas tij, Ini i Çones bën shpenzime të jashtëzakonshme për sigurinë e tij dhe lëviz me makina të blinduara. Nisur nga operacioni i SPAK në Vlorë ditët e fundit, Sokol Bregu thotë se qyteti bregdetar do të ketë më në fund qetësi sepse Prokuroria e Posaçme ka nisur goditjen e qarkut të vetëm i cili nuk ishte prekur deri më sot.

“SPAK për herë të parë hapi një dosje në Vlorë. Kanë qenë të përqendruar në Elbasan, Durrës, Lezhë. Vlora, qyteti me më shumë vrasje, kishte mbetur pa u goditur. E nisi me Inez Hajrullën. Është bonus i madh për t’i sjellë atij qyteti qetësi. Do të ketë masa sigurie ndaj tyre. Ata deri tani nuk e kishin të vështirë të jetonin në Vlorë.

Ka legjenda në rrugë për shumë vrasje të kryera nga ky grup, por nuk kishin asnjë masë sigurie, jetonin të lirë. Inez Hajrulla, duhet të jetë njeriu që ruhet më shumë në Shqipëri, me një shpenzim të jashtëzakonshëm, makina të blinduara në autokolonë.

Dikush vetëm me një pistoletë me silenciator, pretendonte të kryente në Ujin e Ftohtë vrasjen e tij, që dukej e tepruar pasi nuk mund ta gjeje dot. Në banesat e tij te blloku Oslo, policia nuk kishte hyrë kurrë”, është shprehur gazetari Sokol Bregu në “TPZ”.

Forcat Speciale RENEA bastisën pak ditë më parë një kompleks banimi në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, me shpresën se do të gjenin atje Inez Hajrullën dhe shokët e tij, të dyshuar si pjesë e një grupi të fuqishëm kriminal në qytetin bregdetar, nën akuzë për disa ngjarje.

Mirëpo, Ini i Çones, siç njihet ndryshe Inez Hajrulla, apo dhe “Sakati” për shkak se ka humbur të dyja këmbët në një atentat me tritol vite më parë, nuk u arrit të lokalizohej.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT