Një muaj nga tërmeti tragjik, ja sa para janë dhuruar në portalin e-Albania

Tërmeti i 26 nëntorit mori 51 jetë njerëzish, la dhjetëra të plagosur dhe shtëpi të shkatërruara.
Ajo çfarë doli në pah më shumë se kurdoherë tjetër ishte solidariteti i shqiptarëve, kudo që ndodheshin.
Kur kanë kaluar një muaj, mësohet se në portalin zyrtar e-Albania janë grumbulluar 65,131,711 lekë , një shifër kjo shumë e madhe e dhuruar nga një numër i vogël, prej 6,156 donatorëve.
Në listën e gjatë të dhuruesve janë edhe një pjesë e Dhomave të Noterëve së rajonit.
Respektivisht Dhomat e Noterëve të Kosovës dhe Shqipërisë kanë dhuruar nga 10 mijë euro secila,
Dhoma e Noterëve të Malit të Zi 3 mijë euro dhe ajo kroate 4 mijë euro.
Në këtë shifër nuk llogariten donacionet e dhuruara në forma të tjera përtej portalit online të qeverisë.
Këto donacione shkojnë drejt llogarisë së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, me qëllim që kontributi i secilit donator të përdoret me efektivitet nga Emergjencat Civile, në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti.
Ndërkohë që për mbledhjen e fondeve do të mbahet në Tiranë në fund të janarit edhe Konferenca e Jashtëzakonshme me vendet e Bashkimit Europian, me qëllim arritjen e një shumë sa më të madhe për rindërtimin e Shqipërisë.