Legalizohen pallatet e braktisura, por kush mban përgjegjësi për cilësinë e ndërtimeve?!

Në ditët e fundit të vitit Kadastra Shqiptare përmbyll procesin e legalizimeve për disa pallate të braktisura nga ndërtuesit. Kështu, Drejtoria e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tirana Veri ka përfunduar procesin e legalizimit për katër kulla të ndërtuara nga nje subjekti ndërtues para 20 viteve në Njësinë Administrative numer 7. Sipërfaqja e ndërtimit për banim shkon në 28.500 m². Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame ka shpërndarë lejet e legalizimit për apartamentet që kanë blerë.
“Veçantia e këtij rasti, që edhe e ka vënshtirësuar punën tonë, lidhet me faktin se pronari ka vdekur. Në u bëjme thirrje pronarëve që ky është një rast pa pronar që ne po arrijmë t’i legalizojmë dhe t’u japim tapitë e shtëpisë këtyre banorëve.
Nëse ka të tjerë të këtij lloji, të paraqiten pranë zyrave të Kadastrës për të vijuar procesin e legalizimeve. Në rastin konkret e kemi ndjekur ne. Fillimisht u munduam ta ndjekim ne vetë me subjektin – deklaroi Artan Lame.
Ndërsa u ndal sërish tek pasojat që la tërmeti i 26 nëntorit, përsa i takon cilësisë së ndërtimit, ai theksoi se Kadastra nuk merret me certifikimin e objektit.
“Procesi i legalizimeve nuk ka të bëjë me procesin që është për certifikimin e objekteve, por është pjesë e domosdoshme për të bërë certifikimin nga pikëpamja e qëndrueshmërisë, sepse pa mbaruar procesin e legalizimit, as mund të shkosh të marrësh një leje për të bërë rregullime, as mund të aplikojë njeri për të bërë sigurimin e objektit, sepse kërkon patjetër të kesh tapinë”, është shprehur numri një i Kadastrës, Artan Lame.
Gjithashtu në njësinë 2, gjendet ndër të tjera edhe një pallat tërësisht i banuar. Pas kontrollit rezultoi se është edhe pa leje ndërtimi. Gjendet në proces legalizimi që nga viti 2006. Duke mos patur interesim nga subjektet ndërtues si dhe ndodhur në kushtet që banorët kishin deklaruar për legalizim secili apartamentin në prosedim, nga Drejtoria e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës u morën masa për të vijuar procedurën e legalizimit të këtij ndërtimi informal, në emër të poseduesve sipas akt-marrëveshjeve përkatëse.
Nga viti 2017, kur ky proces iu besua Kadastrës Shqiptare janë legalizuar 296 pallate me lartësi 5 deri 12 kate dhe me 1.320.000 m2 ndërtim. Nga ky proces kanë përfituar rreth 2500 familje apartamente, dyqane, njësi shërbimi, garazhe, etj. Qyteti me më shumë objekte të legalizuara është Tirana me 124 pallate, e ndjekur nga Saranda me 63 dhe Vlora me 29 të tilla.