Rama nis prezantimin e planit Anti-KÇK: Politika ka frikë nga drejtësia

Kryeministri Edi Rama ashtu siç lajmëroi dje, ka nisur prezantimin në ambientet e ArTurbinës, të paketës speciale Anti-KÇK, ku në fokus do të jetë goditja e krimit të organizuar dhe pasurive të tyre, duke përfshirë këtu edhe kriminelë të rrezikshëm, të cilët përmes gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, kanë mundur që t’i shpëtojnë drejtësisë.
Rama është shprehur se kjo paketë do të godasë të gjitha foletë e krimit dhe sipas tij kjo do të arrihet me mbështetjen e SHBA dhe BE si dhe ndihmën e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri.
Të pranishëm në takim ndodhen ministra të kabinetit, anëtarë të PS, dhe degëve në rrethe.
“Kanë dhunuar gra dhe janë rikthyer sërish në sallën e gjyqit si dhunues përsëritës. Do të shihen me më shumë efikasitet nga sistemi i ri i Drejtësisë. Një grup kolegesh janë duke përgatitur edhe një amnisti për fundvitit që do të amnistojë nevojën për të lehtësuar gratë e dhunuara. Të rikthehemi në arsyen që na ka mbledhur këtu. Duke bërë një retrospektivë ku ndodhemi. Mos-marrja e një vendimi, apo refuzimi për çeljen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Për të gjithë është e qartë që ky vit ka qenë i vështirë, nga të gjithë vitet e qeverisjes ky ka qenë më i vështiri. Me një krizë të thellë, me mjete artificiale të politikës, për të shtrënguar të gjithë bashkësinë tonë në një rreth vicioz përplasjeje që ka karakterizuar të gjithë gjysmën e parë të vitit.
Këtë e ndaj me gjysmën e njerëzve të këtij vendi se në themel të përpjekjes ka qenë frika nga drejtësia. Frika nga drejtësia, për çeljen e negociatave, ku dihet botërisht se vjen një ballafaqim serioz për efektivitetin e sistemit të drejtësisë. Kur është fjala për Shqipërinë, do të thotë as më shumë e as më pak, por dhënia e provave konkrete, se e gjithë reforma në Drejtësi, i gjithë bagazhi ligjor korrespondon me kapacitetin e sistemit, për të hetuar, gjykuar dhe dënuar, pavarësisht statusit social, influencës, apo forcës së individëve të caktuar”, u shpreh Rama ndër të tjera.