Sponsorizon sportin, të zbritet tatimfitimi. 80% paguhet nga shteti

Ministria e Arsimit dhe Sportit sëbashku me Ministrinë e Financave kanë propozuar një draftligj për të nxitur sponsorizimet në fushën e sportit.

Sipas projektligjit që aktualisht është në fazë diskutimi me grupet e interesit, ato subjekte që do të sponosrizojnë ngjarje të ndryshme sportive, do t’u zbritet tatimfitimi deri në 20%.

Projektligji ka afekte në buxhetin e shtetit. Sipas skemës të paraqitur nga MASR kontributi i sponsorizuesit në totalin e investimit është 20% dhe 80% është kontribut nga buxheti i shtetit (tatim fitimi i munguar në buxhet). Vlera totale e investimit në sport shkon sa 2,9% e fitimit të tatueshëm.

Relacioni që e shoqëron këtë projektligj citon se “ka si qëllim përmirësimin e lehtësirave të procedurave të sponsorizimit në fushën e sportit, duke qenë se sporti jep një kontribut të rëndësishëm në kohezionin ekonomik dhe shoqëror. Sporti adreson nevojat dhe gjendjen specifike të grupeve të nënpërfaqësuara duke marrë parasysh rolin e veçantë që mund të luajë për të rinjtë, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe njerëzit me prejardhje më pak të privilegjuara.”

Projektligji parashikon që për sponsorizime në rastet e sporteve ekipore më të përhapura, (nënkupton “futbollin, basketbollin, volejbollin”) u njihet zbritja deri në 20 për qind nga tatimi i fitimit sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar.

Kurse për sponsorizime të ndryshme nga ato të sporteve ekipore më të përhapura, deri ne 10 për qind nga tatim fitimi sipas bazës ligjore në fuqi.

Gjithashtu, çdo shoqatë sportive, klub ose federatë që ushtron aktivitetin e saj në një nga sportet ekipore më të përhapura, mund të jetë subjekt i një sponsorizimi.
Aplikuesi ka të drejtë të aplikojë për tu pajisur me certifikatën e sponsorizimit duke ndjekur rregullat dhe procedurat, si dhe të plotësojë dokumentet dhe kriteret e parashikuara.

Si kusht për njohjen e shumës 20% si sponsorizim, sponsorizuesi, është i detyruar që t’i paguajë gjithashtu të sponsorizuarit një shumë prej 30% të shumës së përcaktuar. Kjo shumë do t’i njihet sponsorizuesit si shpenzim i zbritshëm.

Si kusht për njohjen e shumës 10% si sponsorizim, sponsorizuesi, është i detyruar që t’i paguajë gjithashtu të sponsorizuarit një shumë prej 20% të shumës së përcaktuar. Kjo shumë do t’i njihet sponsorizuesit si shpenzim i zbritshëm.

Projektligji parashikon që i sponsorizuari, nga shuma e marrë nga një apo më shumë sponsorizues, nuk mund të përdorë më shumë se 14 milion lekë në vit për paga dhe shpërblime për sportistët.

Në dokumentet e që vërtetojnë realizimin e sponsorizimit përfshihet çertifikata e sponsorizimit, në rastet e sporteve ekipore më të përhapura.

Krieteret që duhet të përmbushë aplikuesi për të përfituar nga sponsorizimi parashikojnë; marrjen pjesë ose të drejtën e konkurimit në nivel amator ose profesionist, të ushtrojë veprimtarinë prej të paktën 1 viti, nuk ka detyrime tatimore të pashlyera; nuk ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën e tatim-taksave; ka përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni për sigurimet shoqërore të vitit të fundit financiar; nuk është objekt i procedurave të falimentimit dhe/ose likuidimit apo ndonjë procedure tjetër të ngjashme; nuk është pezulluar me vendim gjykate.
Në të njëjtën kohë sponsorizuesi duhet të paraqesë një deklaratë në të cilën angazhohet të japë sponsorizim për shoqatën sportive, klubin ose federatën që kërkon mbështetje financiare. Pas lëshimit të certifikatës së sponsorizimit duhet të tranferojë shumën e treguar në certifikatë.

Pas transferimit të shumës së sponsorizimit duhet të njoftojë organet tatimore përgjegjëse.

Ai duhet të transferojë të paktën 75% të shumës së deklaruar për sponsorizim, gjatë vitit kur sponsorizimi është miratuar.

Projektligji detyron që sponsorizimet në favor të sporteve ekipore më të përhapura, duhet të destinohen për:

a) evidentimin e talenteve dhe zhvillimin e sportistëve të rinj;
b) mbulimin e shpenzimeve të stafit sportiv;
c) përmirësimin dhe rinovimin e pasurive të luajtshme që i shërbejnë për aktivitetin sportiv;
ç) zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive;
d) shpenzimet që kanë të bëjnë me trajnimin; ose
dh) mbulimin e shpenzimeve që rrjedhin nga organizimi i garave sportive.

Dokumentacioni do të shqyrtohet nga një komisioi i cili do të përbëhet nga jo më pak se 5 anëtarë, nga të cilët, të paktën një anëtar është përfaqësues i ministrisë përgjegjëse për financat, një anëtar është përfaqësues i ministrisë përgjegjëse për ekonominë, një anëtar është përfaqësues i ministrisë përgjegjëse për sportin, si dhe dy anëtarë të propozuar nga shoqatat dhe/ose grupet e interesit. Kryetari i komisionit caktohet përfaqësuesi i propozuar nga ministria përgjegjëse për sportin. Në çdo rast, numri i anëtarëve të komisionit duhet të jetë një numër tek.

Komisioni krijohet me VKM e cila përcakton edhe detyrat e Komisionit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT