Mark Gjonaj thirrje diasporës të votojë në zgjedhjet e tetorit në Kosovë

Anëtari i këshillit bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, foli për prioritetet që duhet të ketë qeveria e re pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Ai kërkoi nga komuniteti shqiptar jo vetëm në Nju Jork, që të marrin pjesë në këtë proces, duke votuar përmes postës. Zoti Gjonaj foli edhe për tarifën prej 100 për qind që Kosova ka vendosur ndaj mallrave serbe. Ai tha se Serbia e përdori këtë si justifikim për t’u larguar nga tryeza e bisedimeve.

Tarifa 100 për qind ndaj mallrave, bisedimet Kosovë-Serbi, liberalizimi i vizave e shumë çështje tjera, do të jenë sfida të mëdha për qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme që mbahen në Kosovë, më 6 tetor.

Loading...

Krahas këtyre çështjeve, anëtari i këshillit bashkiak të Nju Jorkut dhe aktivisti i njohur i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Mark Gjonaj, i kërkon qeverisë së re të përqendrohet tek mirëqenia e qytetarëve.

“Është me rëndësi që të kalohet ngërçi. Sigurisht do të doja që qeveria të fokusohet në nevojat e njerëzve. Të sigurohet që të ketë reforma në sistemin shëndetësor, edukim dhe mundësi punësimi, në mënyrë që njerëzit tanë të mund të punojnë, të mbajnë veten dhe familjet e tyre”, shtoi zoti Gjonaj.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës zoti Gjonaj i bëri thirrje komunitetit shqiptar jo vetëm të Nju Jorkut që të votojë, duke e parë si kontribut drejt të ardhmes së vendit.

“Shpresoj që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë e madhe. Është e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Diaspora ka rastin të marrë pjesë në zgjedhje, me një afat regjistrimi deri më 10 shtator. Inkurajoj të gjithë ata që kanë të drejtë vote, të regjistrohen brenda afatit për të marrë pjesë në një proces të besueshëm e demokratik, që do t’i japë formë të ardhmes së Kosovës. Është përgjegjësi e njerëzve tanë ndaj vendlindjes. Ju inkurajoj të shkarkoni aplikacionin që ndodhet në faqen e Komisionit Qendror Zgjedhor”, tha Mark Gjonaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Loading...
Back to top button