Një portret i rrallë i Gjergj Kastriot Skënderbeut nga Sami Frashëri
Nga Sami Frashëri Emri origjinal i tij është Xhorxh ose Gjergj Kastrioti.Është i biri i Jan (Gjon) Kastriotit i cili, në kohën e pushtimeve osmane në Rumeli, ishte princ në krahinën e Krujës, d.m.th. të Akça Hisarit në Shqipëri.Ka lindur më 1404, e sipas një varianti tjetër më 1414 pas erës së re.Kur Sulltan Murati II e kishte drejtuar forcën ushtarake kah Arnautllëku, babai i këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu, sado që i ishte nënshtruar atij, padishahu i sipërpërmendur, për të siguruar këtë nënshtrim, i pat marrë peng katër djemtë e Gjon Kastriotit dhe i pat dërguar në Edrene.Skënderbeu ishte më i vogli.Meqë ishte jashtëzakonisht i zgjuar dhe i guximshëm fitoi simpatinë dhe dashurinë e padishahut i cili e quajti Skënder në ngjasim me Lekën e Madh i cili i takonte të njëjtës racë me të.Qe edukuar bashkë me princin Sulltan Mehmet Hanin II. Kur u rrit u emërua sanxhak-be në Serbi, në Sham dhe në shumë vende të tjera dhe si i tillë shërbeu në ushtrinë e Perandorisë Osmane.Në luftërat që ndodhën pat treguar trimëri, guxim dhe shkathtësi të jashtëzakonshme ushtarake. Ishte aq i fortë dhe trim saqë kur dilte në dyluftim në praninë e padishahut të tij kundër shumë pehlivanëve që vinin nga vende të ndryshme për të provuar forcën dhe fuqinë e tyre, asnjëherë nuk humbte.Kur i vdiq babai, territori në krye të të cilit ishte ai, iu aneksua shtetit Osman ashtu që në Akça Hisar (Krujë) u dërgua një muhafiz, ndërkaq, Skënderbeu në atë kohë gjendej në ekspeditën ushtarake në Sham.
Kur u kthye u njoftua se i kishin vdekur tre vëllezërit.Skënderbeu parashikonte që pas vdekjes së të atit, njëri nga vëllezërit e tij ose ai vetë të emërohej si princ i krahinës së trashëguar.Mosarritja e këtij qëllimi, në njërën anë, dhe vdekja e vëllezërve, nga ana tjetër, e hidhëroi, prandaj kërkonte rastin e volitshëm për të ikur.Kështu, kur më 1443 pas erës së re qe dërguar ushtria në luftën e Moravës, ky, me një numër të vogël shqiptarësh që ishin me të, iku. Pasi që e mashtroi muhafizin e Akça Hisarit (Krujës) dhe pasi e riktheu pronën e të atit, i thirri princat dhe krerët e tjerë të Arnautllëkut për besëlidhje dhe bashkim, të cilët e njohën atë për kryekomandant të tërë Arnautllëkut.Në sajë të aftësive dhe shkathtësive të veta si dhe me ndihmën e pozitës strategjike të vendit, ai mundi t’i bëjë ballë për një kohë të gjatë ushtrisë së dërguar nga ana e shtetit Osman. Mbretërit e krishterë të Evropës, e sidomos Papa dhe mbreti i Hungarisë, duke konsideruar se Skënderbeu do të jetë një digë hekuri kundër Perandorisë Osmane, vazhdimisht e nxitnin atë. Sado që ata kishin bërë marrëveshje me të, nuk kishin guxim të aktivizoheshin kundër fuqisë Osmane dhe, pasi që e futën në zjarr Skënderbeun, bënin sehir (vështronin) nga larg.Sidoqoftë, Skënderbeu, me ndihmën e pozitës natyrore të vendit dhe në saje të një përgatitje të tij të posaçme luftarake, d.m.th. duke i zënë grykat, duke iu larguar luftës frontale, ka mundur t’i përballojë ushtrisë së madhe të drejtuar nga vetë Sulltan Murati II. Megjithëkëtë, si ushtria, si vendi i tij pësuan shumë. Sidomos u dëshpërua kur nipi i tij Hamzai dhe shoku i tij më trim, Mojsiu, i lëshuan radhët e tij dhe iu bashkuan ushtrisë osmane për të luftuar kundër tij. Mirëpo më vonë, që të dy këta i shtiu në dorë. Sulltan Mehmet Hani II, po ashtu, shumë herë pat dërguar ushtri kundër Skënderbeut dhe, më në fund Skënderbeu u detyrua të lidhë marrëveshje për paqe. Kjo marrëveshje u lidh më 1461.

