Eliminuan xhaxhain e “fantazmës” dhe kërkuan pushimin e çështjes, GJKKO rrëzon Bajrajt, kalon për gjykim vrasja e Fatbardh Licit

GJKKO ka kaluar këtë të enjte për gjykim dosjen që lidhet me vrasjen e Fatbardh Licit.

Avokatët e të pandehurve Safet Bajri, Behar Bajri, Astmer Bilali dhe Eria Ago kishin kërkuar pushimin e çështjes ose kthimin e akteve për plotësim hetimesh.

Sipas mbrojtjes ligjore, për këtë çështje më herët ka pasur pezullim të hetimeve nga prokurorë të tjerë për mungesë provash.

Safet Bajri u arrestua me urdhër të SPAK më 21 shkurt 2025. Ai së bashku me anëtarë të tjerë të grupit të tij, dyshohet për përfshirje në vrasjen e Fatbardh Licit, i cili është vëllai i Mustafa Licit. Ky i fundit është babai i Ibrahim dhe Hamza Licit, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash më 10 gusht 2018 në zonën e Kirasit, në Shkodër.

Vrasja e Fatbardh Licit dyshohet të jetë pjesë e përplasjes së vazhdueshme mes fiseve Lici dhe Bajri në Shkodër.

Safet Bajri ka qenë edhe më herët i ndaluar nga autoritetet e drejtësisë gjatë operacionit “Oaz”, të zhvilluar nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda, por më pas është liruar.

Po ashtu, ai ka qenë i dënuar edhe në Belgjikë. Gjatë javëve të fundit, banesa e tij në Dobraç është kontrolluar disa herë me urdhër të SPAK, në kuadër të disa procedimeve penale.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT