Ja si merret shtetësia italiane nga shqiptarët e lindur në Itali

Kush lind në Itali nga prindër të huaj mund të përdorë një
rrugë preferenciale për t’u bërë shtetas italian, por ka vetëm një vit
kohë për të përfituar prej saj. Sipas ligjit italian kush lind në Itali
nga prindër të huaj nuk fiton automatikisht shtetësinë italiane, por
mban atë të prindërve deri sa të arrijë moshën madhore. Të shohim
hollësisht procedurën ligjore që duhet të ndjekë një person i lindur në
Itali nga prindër të huaj e që aspiron të bëhet shtetas italian.

Ligji italian n. 91/92 mbi shtetësinë vendos që “i  huaji i lindur në
Itali, i cili ka banuar aty ligjërisht pa ndërprerje deri në moshën
madhore, bëhet shtetas italian nëse deklaron se dëshiron të fitojë
shtetësinë italiane brenda një viti nga mbushja e moshës së mësipërme”
(neni 4, paragrafi 2 i Ligjit 91/92). Kjo do të thotë që shtetasi i huaj
i lindur në Itali, ku ka qenë banues i rregullt gjithmonë, mund të
aplikojë për të kërkuar shtetësinë italiane në moshën mes 18 dhe 19
vjeçëve, duke u paraqitur pranë nëpunësit të Gjendjes Civile të qytetit
ku ka vendbanimin.

Shtetësia, në këtë rast, jepet si “përfitim nga ligji”, kështu që
është e mundur të bëhesh italian me një deklaratë të thjeshtë vullneti
përpara Nëpunësit të Gjendjes Civile përpara mbushjes së moshës
19-vjeçare. Zyra e Gjendjes Civile, pasi verifikon përmbushjen e
kritereve, regjistron shtetasin e ri në regjistrin e gjendjes civile
vetëm pas betimit për besnikëri ndaj Republikës Italiane, me të cilin i
jepet shtetësia italiane qytetarit të interesuar.

Dokumente që duhen paraqitur:

1. Kuponi i pagesës prej 200 € në llogarinë 809020 të Ministrisë së Punëve të Brendshme;

2. Pasaporta e vlefshme;

3. Kopja e plotë e aktit të lindjes së kërkuesit;

4. Leja e qëndrimit: në rast periudhash ndërprerjesh në lejen e
qëndrimit, i interesuari mund të paraqesë dokumente që mund të dëshmojnë
 praninë e tij të pandërprerë në Itali (p.sh. certifikata shkollore,
mjekësore dhe të tjera);

5. Certifikata historike e rezidencës. Në rast se i mituri është
regjistruar vonë një komunë italiane duhet dorëzuar dokumentacioni që
vërteton qëndrimin e të miturit në Itali gjatë periudhës që paraprin
regjistrimin në komunë (p.sh. certifikata mjekësore). Periudha e
rezidencës së rregullt duhet të dëshmohet që nga çasti i lindjes në
Itali përmes certifikatës historike të regjistrimit që lëshon Zyra e
Gjendjes Civile dhe përmes leje qëndrimit. Shpesh ndodh që prindërit nuk
kanë kryer regjistrimin e fëmijëve të lindur në Itali ose kanë kërkuar
me vonesë futjen e tyre në lejen e qëndrimit. Në këtë mënyrë do të
mungonte kushti i rezidencës legale të pandërprerë që nga lindja deri në
moshën madhore, duke paragjykuar kështu të drejtën për paraqitjen e
kërkesës.

Për këto arsye, Ministria e Brendshme, për të lehtësuar gjithsesi
kërkesat për njohjen e shtetësisë, me Qarkoren K64.2/13 të datës 7
nëntor 2007, ka ftuar Nëpunësit e Zyrave të Gjendjes Civile të
vlerësojnë me elasticitet kriterin e qëndrimit të vazhdueshëm. Ajo ka
vendosur që në rast ndërprerjeje të rezidencës së rregullt ose vonese në
regjistrim, duhet të shqyrtohen si prova të qëndrimit në territorin
italian, edhe certifikatat mjekësore  (p.sh. certifikatat e vaksinimit,
ose shërbimet mjekësore), certifikatat e shkollës ose tjera dokumente të
ngjashme. Fatkeqësisht disa zyra komunale vazhdojnë t’i refuzojnë
shtetësinë atyre që kanë një “boshllëk” në periudhën e qëndrimit,
pavarësisht qarkores K64.2/13 të datës 7 nëntor 2007. Në këtë aspekt
vendimet e gjykatësve janë gjithmonë të favorshme në këtë hipotezë, me
rezultatin që refuzimet e Komunave janë konsideruar të paligjshme.

Për më tepër, gjithnjë për të lehtësuar aksesin në të drejtën e
shtetësisë, më 6 nëntor 1996, Këshilli i Shtetit ka dhënë vendimin numër
 940/1996, në të cilin deklaronte se mungesa apo vonesa e regjistrimit
të vendbanimit në emër të fëmijës, mund të konsiderohen jo ndikuese në
marrjen e  shtetësisë, por vetëm në qoftë se janë verifikuar tri kushtet
në vijim:

a) lindja e fëmijës në Itali, të ketë qenë deklaruar rregullisht dhe
menjëherë në zyrën e gjendjes civile, edhe për regjistrimin e rezidencës
(akti i lindjes);

b) prindërit, në kohën e lindjes së fëmijës, të kenë qenë rezidentë
të rregullt, me leje qëndrim të vlefshëm dhe regjistrim në komunë.

c) që këto kushte të prindërve të kenë vazhduar gjatë gjithë
periudhës së marrë në shqyrtim, të paktën deri sa fëmija të mos ketë
marrë një leje qëndrimi të vetën.

Pas mbushjes së moshës 19-vjeçare

Kur mbush 19 vjeç, i huaji i lindur në Itali që nuk ka paraqitur
deklaratën e vullnetit në zyrat e Komunës, nuk mund të përfitojë
shtetësinë italiane falë “përfitimit me ligj”, por do të duhet të ndjekë
një procedurë tjetër. Në fakt kush e ka kapërcyer pragun e të 19-ave
mund të aplikojnë për shtetësi pas tre vjetësh qëndrimi të rregullt
sipas nenit 9, paragrafi 1, germa a) e Ligjit 91/92.

Kërkesa duhet të paraqitet pranë Prefekturës së vendbanimit duke
plotësuar formularin B dhe duke bashkangjitur dokumentet e kërkuara në
origjinal dhe fotokopje. Mbetet gjithnjë i nevojshëm kushti që të ketë
lindur në Itali dhe duhen dëshmuar të ardhura të paktën rreth 8.500 € në
vit, gjatë tre vjetëve të fundit përpara dorëzimit të kërkesës. Duhet
mbajtur parasysh që të ardhurat në fjalë janë ato të  familjes ku bën
pjesë kërkuesi. Pra, në qoftë se bëhet fjalë për një student, mjafton të
dëshmohen të ardhurat e prindërve.

Dokumente që duhen paraqitur

1 . Kuponi i pagesës prej 200 € në llogarinë 809020 të Ministrisë së Punëve të Brendshme;

2. Pasaporta e vlefshme;

3. Kopja e plotë e aktit të lindjes së kërkuesit;

4. Leja e qëndrimit: në rast të ndërprerjeve në lejen e qëndrimit,
kërkuesi mund të paraqesë dokumentacionin që vërteton praninë e tij në
 Itali (p.sh. certifikata shkollore, mjekësore etj);

5. certifikata historike e rezidencës. Në rastin e regjistrimit të
vonuar të fëmijës në një komunë italiane, duhet të dorëzohet
dokumentacioni që dëshmon praninë e të miturit në Itali përpara
regjistrimit të rregullt në komunë (p.sh. certifikata mjekësore).

Është në dorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të kërkojë
dokumentacion shtesë nëse është e sheh të nevojshme. Kërkesa i
transmetohet personit të interesuar me letër rekomande të dërguar në
adresën e banimit të dhënë në aplikimin për shtetësi. Në rast ndryshimi
të vendbanimit  gjatë procedurës së shtetësisë, i interesuari e ka për
detyrë t’ia komunikojë Prefekturës adresën e re, duke bashkangjitur një
kopje të kuponit të paraqitjes së kërkesës ose kopje të letrës së
protokolluar të kërkesës për të shmangur humbjen në postë.

Koha për shqyrtimin e kërkesës është 730 ditë. Në rast përgjigjeje
pozitive, Prefektura i dërgon një njoftim personit brenda 90 ditëve nga
marrja e dekretit të shtetësisë nga ana e Autoritetit përkatës. Pasi
personi të ketë marrë dekretin, duhet të paraqitet në Komunën e
vendbanimit, brenda 6 muajsh nga marrja e njoftimit, për të bërë betimin
për besnikëri ndaj Republikës në përputhje me nenin 10 të Ligjit për
Shtetësinë (Ligji 91/1992). Pas skadimit të kësaj periudhe, dekreti e
humb vlerën dhe personi duhet të paraqesë sërish kërkesë për shtetësi
dhe të nxjerrë sërish të gjitha dokumentet.

Kujdes! Duhet mbajtur parasysh se disa shtete nuk lejojnë shtetësi të
dyfishtë. Është e këshillueshme të verifikohet pranë konsullatës
përkatëse nëse marrja e shtetësisë italiane nuk shkakton humbjen e
shtetësisë së origjinës.

Referimi normativ për realizimin e këtij udhëzuesi është Ligji nr. 91 i datës 5 shkurt 1992.

Marrë nga Italianipiu.it/Shqiptariiitalise.com

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT