Thaçi në hap me Ramën: Nëse BE na e mbyll derën, të gjithë shqiptarët do të jetojnë në një hapësirë të vetme

Nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, atëherë të gjithë
shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme, ka deklaruar
për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Reagimi i tij, pason deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi
Rama i cili ka thënë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të
përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE
venitet.

“Bashkimi Evropian, aktualisht as në raport me Kosovën dhe as me
Ballkanin Perëndimor, nuk ka as vizion dhe as lidership për integrimin
apo zgjerim me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë
Thaçi.

“Këtë vonesë, këtë ngurtësi, e këtë jovizion për Ballkanin
Perëndimor, për fat të keq janë duke e shfrytëzuar ideologji dhe vende
joevropiane dhe të frymës dhe vizionit jo euroatlantik”, ka theksuar ai.

“Natyrisht që qytetarët e Kosovës janë të frustruar me Bashkimin
Evropian, me ngurtësinë e tyre, me bllokadën e tyre dhe padrejtësinë dhe
ndëshkimin që po u bëhet qytetarëve të Kosovës për procesin e
liberalizimit të vizave, sepse Kosova ka përmbyllur të gjitha kriteret e
nevojshme dhe të domosdoshme dhe krejtësisht me të padrejtë e ka vënë
edhe çështjen e demarkacionit”, ka thënë tutje presidenti i Kosovës.

“Natyrisht, atë që e kam thënë edhe në vitin 2013 e them edhe tani,
nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, të gjithë shqiptarët
në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme për t’u integruar pastaj
tutje në familjen evropiane”, është shprehur Thaçi.

Ditë më herët, në një intervistë për “Politico”, Edi Rama ka
paralajmëruar se “Evropa mund të përballet me një makth” nëse vendet e
Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës
së BE-së.

Ai në plan të parë e ka vënë bashkimin e shqiptarëve në kuadër të
integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Por, nëse kjo rrugë
pamundësohet, ai ka paralajmëruar edhe mënyra tjera.

“Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan që
të bashkohen në Unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, nuk ka
perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të
ndodhin”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i kishte cilësuar si
populiste deklaratat e homologut të tij nga Tirana, Edi Rama.

Në një intervistë për KTV, ai është shprehur se Kosova nuk synon bashkim tjetër veç BE-së.

“Ne nuk e kemi orientimin që të bëjmë bashkime tjera, përveç
Bashkimit Evropian. Edhe nëse s’na pranojnë për dere, do të hyjmë për
dritareje”, ka theksuar ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT