Ekskluzive: Kamera e ABC News, tek të burgosurit shqiptarë në Serbi

Dhjetëra shtetas shqiptarë vuajnë dënime në burgjet e Serbisë për vepra të ndryshme penale. Shumë prej tyre kanë kërkuar prej vitesh që vuajtjen e dënimit ta kryenin në atdhe. Për një pjesë ka mbërritur edhe miratimi i autoriteteve të Beogradit. Por nga Tirana zyrtare nuk ka ende reagim. Gazetari i ABC News Idro Seferi, sjell një reportazh të veçantë nga brenda qelive të këtyre burgjeve si dhe intervista me të dënuar shqiptar.

Loading...

Mitrovica e Sremit në Serbi. Në këtë rrugë është një hotel dhe një burg. Këtu një pjesë e të burgosurve mund të dalin edhe jashtë pas një kohe më të gjatë dhe të shëtisin. Një nga burgjet më të mëdha në Ballkan. Shumica e të huajve që kryejnë burgun ndodhen pikërisht në këtë qendër për të vuajtur dënimin e tyre.

Filmimi është lejuar, por duke fshehur identitetin e çdo të burgosuri me rregulla strikte, pa treguar fytyrat, por edhe asnjë detaj të trupit të tyre. Për këtë kërkohet leje nga çdo i burgosur. Këtu ka edhe njerëz që flasin shqip dhe kanë bërë kërkesa për ekstradim.

Që nga viti 2010 e deri në vitin 2018 kanë qenë 14 kërkesa nga shtetasit shqiptar për ekstradim. Pesë prej tyre janë pranuar, por nuk janë realizuar asnjëherë. Tre janë liruar para se të transferoheshin, një ka kryer burgun para se të kthehet kërkesa e pranuar, dhe një tjetri i është refuzuar në fund. Nëntë kërkesa janë në pritje.

Ky këtu është një djalë nga bregdeti shqiptar, jo larg Tiranës. I lindur në vitin 1996, është dënuar për trafikim të 16 kilogramëve marijuanë. Është lutur të kthehet në shtëpi.

“Historia është që më patën arrestuar në kufi të Serbi-Hungarisë, sepse makina që kisha blerë prej 1 muaji kishte brenda një vend me marijuanë, për këtë jam këtu. Avokati më tha që rruga më e mirë është pranimi i veprës, për shpejtësinë e procedurave. Më pas të bëhet transferimi për në Shqipëri. Ajo u bë dhe unë jam ende këtu”, thotë ai.

Autoritetet serbe i kanë miratuar kthimin në Shqipëri me 4 korrik të vitit të kaluar, por për të kryer dhe tri vite të tjera më shumë burg, duhet një përgjigje nga Tirana të cilin ende po e pret.

Të burgosurit këtu lirinë e kanë sistematike. Mund të lëvizin në kushte të kontrolluara dhe të përfitojnë gjithnjë e më shumë liri. Por, kjo ndodh me kalimin e kohës kur një pjesë prej tyre mund të punojnë dhe të kenë aktivitete.

Mund të kenë pushime në fundjava ndonjëherë, të kenë vizita, por edhe pushime vjetore për të dalë nga burgu. Për shtetasit shqiptar që nuk kanë shumë kohë këtu, është e rëndësishme ta kryejnë burgun në vendlindje, pasi risocializimi nuk është i lehtë.

“Eshtë mbyllur procesi penal, janë mbyllur të gjitha dhe pritet përgjigja nga ana e Ministrisë së Drejtësisë Shqiptare për lejen e transferimit. Autoritetet Serbe i kanë dhënë të gjitha lejet, thjesht mungon një leje zyrtare nga pala tjetër. Duke pritur këtë përgjigje nga Tirana ka kaluar shumë kohë, si për mua edhe për të tjerët që kanë 2 apo 3 vjet që ende presin përgjigje nga Ministria e Drejtësisë Shqiptare. Këtu kam 1 vit e 3 muaj, kushtet i shikoni vetë. Unë jam munduar të informojë edhe Ambasadën Shqiptare se në çfarë kushtesh gjenden shqiptarët këtu, mund të merrni dëshminë edhe të shqiptarëve të tjerë. Ne kemi kërkuar që të na vizitojnë nga ana e ambasadës dhe ata na kanë mashtruar, duke na thënë se do të vinin për vizitë por nuk kanë ardhur asnjë herë”, bën me dije ai.

Novi Sadi është kryeqendra e krahinës së Vojvodinës në Serbi. Fillimisht ka qenë e mundur të kontaktohet një avokat.

Bojan Papic, ka një zyrë këtu bashkë me shumë kolegë profesionist të njohur. Klienti i tij në intervistë thotë se ka të drejtë ligjore të kërkoj që të transferohet në vendlindje. Por, përgjigje nga Shqipëria nuk ka. I pyetur se përse nuk ka ende një përgjigje nga Tirana, thotë se nuk e di arsyen.

“Klienti im në Serbi është gjykuar me 26 janar në Suboticë për akuzën e trafikut të drogës. Ka bërë marrëveshje dhe është dënuar me 4 vjet e 10 muaj. Në bazë të ligjeve në Serbi është mundësuar që i dënuari të kryejë dënimin në shtetin amë, në këtë rast në Shqipëri”, shprehet avokati.

Ai shpreson se përgjigja do të jetë e shpejtë, pasi për të burgosurit nuk është e lehtë të jenë, edhe të dënuar dhe të mos kenë komunikim social të vazhdueshëm. Avokati kërkon një përgjigje, pasi thotë se kjo është e nevojshme.

“Është në një ambient ku është problem komunikimi, që nga rojet e deri tek kushtet. Janë gjëra që vështirësojnë jetën aty, ndërsa transferimi do të mundësonte kryerjen e të njëjtit dënim por në Shqipëri, e jo në Serbi”.

Në këtë hapësirë të burgut është një pjesë më e mbyllur e tij. Liria ndodh pak, dhe pse kanë kushte, mjekë, kisha dhe aktivitete të tjera që mund të bëhen gjatë kohës. Kanë kantinë, palestër dhe mund të blejnë gjëra nëse kanë para. Kanë edhe kurse për gjuhët, në mënyrë që të huajt dhe lokalët të mund të komunikojnë.

Intervista dhe çdo gjë këtu është filmuar në praninë e autoriteteve, të përkthyesve të të dy gjuhëve (shqip-serbisht) dhe përfaqësuesve të burgut që kanë pranuar reportazhin tonë. I riu nga Shqipëria, thotë se ndjehet shumë keq, pasi ka vënë në siklet familjen, të cilët nuk kanë shumë kushte për t’i bërë vizita. Është djalë i vetëm i dy prindërve në moshë.

“Nuk jam qytetar këtu, as nuk kam patur synim të qëndroj këtu, thjesht kam kaluar në kufirin Serbo-Hungarez. Shkaku i marrjes së përgjegjësisë për këtë vepër penale ishte se, nëse do ta pranoja, do të transferohesha për në Shqipëri. Atje kam familjen, shokët. Të gjithë procedurat u bënë shumë shpejt për shkak të transferimit. Atje kam më shumë lehtësi. Nëse është e nevojshme unë ju listoj të gjitha vështirësitë këtu duke filluar nga kushtet  por pikësynimi nuk është të jem kundër autoriteteve të këtushëm, synimi është të largohem prej këtej. Në Shqipëri kam qenë student, kam punuar si agjent shitjesh. Unë thjesht kërkoj transferimin sepse është e drejta ime, e drejtë që po më cenohet. Familjen e takoj 1 herë në 1 ose 2 muaj”, thotë ai.

Për drejtësinë serbe këto janë raste të mbyllura dhe mjafton të shkojnë në burg në vendlindje. Por nëse jo, mund të rrinë këtu dhe me sjellje të mira mund ta kalojnë më lehtë e mbase lirohen edhe më shpejt se sa dënimi. Por deri atëherë, duhet t’i përmbahen rregullave dhe të presin mundësinë e dytë në jetë për të qenë përsëri të lirë./abcnews.al

Loading...
Back to top button