Trump bën lëvizjen e parë ndëshkuese ndaj Europës, ndërpriten transaksionet tregtare të SHBA-së me Spanjën

Në konferencën e përbashkët të mbajtur ditën e sotme në Shtëpinë e Bardhë me kancelarin gjerman Friedrich Merz, presidenti amerikan shprehu pakënaqësinë ndaj disa vendeve europiane.
Pasi kritikoi lëvizjet e fundit të kryeministrit britanik, Trump shprehu pakënaqësitë e tij dhe për Spanjën për të cilën theksoi se do të ndërpresë bashkëpunimet.
Vendimi i Trump për të ndërprerë bashkëpunimet me Spanjën vjen në një momnet pasi vendi evropian refuzoi të lejonte ushtrinë amerikane të përdorte bazat e saj për misione që lidhen me sulmet ndaj Iranit.
“Spanja është sjellë shumë keq “, tha Trump duke shtuar se i kishte kërkuar Sekretarit të Thesarit, Scott Besant, të “ndërpriste të gjitha tregtitë” me Spanjën.
“Ne do t’i ndërpresim të gjitha tregtitë me Spanjën. Nuk duam të kemi të bëjmë fare me të”, shtoi ai.
Trump shtoi më tej Spanja u ka rezistuar përpjekjeve për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5 përqind të produktit të brendshëm bruto, siç i ka pyetur aleatët e NATO-s.
I pyetur pse vendet po bashkojnë forcat me Shtetet e Bashkuara në një luftë me Iranin, ai tha: “Ata janë thjesht të këqij”.