SKANDALI: Maqedonasit i përzunë, Shqipëria s’i pranon, 10 barinj bllokohen në doganën e Qafë Thanës në temperatura me minus

10 shqiptarë janë bllokuar prej 24 orësh në doganën e Qafë Thanës, në tentativë për t’u kthyer në atdhe.

Ata janë barinj që qëndrojnë dhe punojnë me sezon në malet e Maqedonisë, por teksa janë nisur për t’u kthyer në Shqipëri, e kanë gjetur derën e mbyllur. Shkak është bërë situata nga pandemia e koronavirusit.

Vetë kryeministri Edi Rama ka deklaruar se asnjë shqiptar nuk do të lejohet të kthehet, pasi vendi ndodhet në izolim total. Dhjetra të tjerë janë bllokuar në doganën e Kakavijës si dhe në atë me Malin e Zi.

Barinjtë në doganën e Qafë Thanës janë detyruar ta kalojnë natën në temperatura me minus duke ndezur zjarre në tokën e ndërmjetme për t’i bërë ballë të ftohtit ekstrem. Pala maqedonase ka pranuar t’i kalojë, por shqiptarët refuzojnë t’i lejojnë të hyjnë duke thënë se “kështu është urdhri”.

Dy prej tyre janë në moshë të madhe, mbi 65-vjeç. Newsbomb.al mëson se gruaja e një prej tyre është nisur nga Shqipëria me taksi drejt pikës kufitare të Qafë Thanës por bashkëshorti i saj nuk është lejuar të kalojë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT