BE ofron WIFI falas në 61 bashkitë e vendit: Hap tjetër konkret në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit!

Në 61 Bashkitë e vendit, falë mbështetjes së Bashkimit Europian, me iniciativën “WiFi4WB”, kanë përfunduar të gjitha pikat e internetit publik falas.
BE bën të ditur se nga zonat malore në bregdet, nga qytetet e mëdha te bashkitë më të vogla, tashmë qytetarët dhe vizitorët mund të kenë akses Wi-Fi publik falas.
“Falë mbështetjes së Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë, ky është një tjetër hap konkret në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, duke nxitur përfshirjen digjitale, përmirësuar ndërlidhjen dhe afruar gradualisht Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor me ekosistemin digjital të BE-së dhe Tregun e Vetëm Digjital”, u shpreh Andre Rizzo, i ngarkuar me punë i BE-së në Shqipëri.
“WiFi4WB” ofron pika qasje publike Wi-Fi falas për deri në 500 bashki në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe mbështetet në suksesin e programit WiFi4EU të BE-së, i cili ndau 130 milionë euro për të krijuar rrjete publike Wi-Fi në gati 9 mijë bashki të BE-së.