Gjykata e Lartë i dha të drejtë Pacollit, Aeroporti i Vlorës kundërshton, PARALAJMËRON masa të ashpra për çdo ndërhyrje (REAGIMI I PLOTË)

Pas vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e cila në një seancë intensive vendosi që  t’i japë të drejtë kompanisë “Mabco Constructions SA” në pronësi të miliarderit Behgjet Pacolli, duke i rikthyer Aeroportin e Vlorës, VIA ka kundërshtuar institucionin më të lartë të Republikës së Shqipërisë.

Në një reagim të bërë së fundmi në rrjet VIA shkruan se vendimi gjyqësor i Gjykatës së Lartë nuk prodhon asnjë pasojë juridike mbi veprimtarinë operacionale të shoqërisë koncesionare duke shtuar se akti nuk rregullon përplasjet e ndodhura në kantierin e ndërtimit nga ana e kontraktorëve.

Po ashtu, Aeroporti i Vlorës pretendon se shoqëria tregtare e Behgjet Pacollit, subjekti “Mabco Construction SA” po tenton të ushtrojë presion publik përmes raportimeve të bëra që VIA i cilëson si keqinterpretime të qëllimshme të vendimeve gjyqësore.

“Në këtë kuadër, dëshirojmë të sqarojmë se vendimi i sipërpërmendur gjyqësor nuk prodhon asnjë pasojë juridike mbi veprimtarinë operacionale të shoqërisë koncesionare. Rrjedhimisht, ky akt nuk rregullon, nuk autorizon dhe nuk ka asnjë lidhje me të drejtën e qasjes (hyrje/dalje) në kantierin e punimeve nga ana e kontraktorëve apo nënkontraktorëve.

Në mbështetje të legjislacionit në fuqi për shoqëritë tregtare, aktet që lidhen me mbarëvajtjen dhe administrimin e përditshëm të shoqërisë janë tagër dhe kompetencë ekskluzive e organit administrativ (Administratorit). Këto kompetenca nuk mund të ushtrohen, zëvendësohen, anulohen apo tjetërsohen në mënyrë të njëanshme nga asnjë prej ortakëve të shoqërisë. Aktet dhe vendimet e Administratorit mbeten në fuqi të plotë ligjore.

Kemi konstatuar se subjekti “Mabco Construction SA”, në cilësinë e ish-kontraktorit (pasi marrëdhënia e tij kontraktuale me shoqërinë është zgjidhur ligjërisht), po tenton të ushtrojë presion publik përmes keqinterpretimit të qëllimshëm të vendimeve gjyqësore. Tentativa për të përdorur një vendim gjykate me objekt tërësisht të ndryshëm si mjet për të legjitimuar qasjen në kantier është e pabazuar në ligj dhe paraqet abuzim me të drejtën” shkruhet në reagimin e bërë nga Aeroporti i Vlorës në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

Në përmbyllje të reagimit të bërë theksohet se çdo tentativë për të hyrë në kantierin e ndërtimit drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë përbën shkelje për të cilën nënvizojnë se do të merren masa.

Ortaku mazhoritar që zotëron 98% të aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ishte përjashtuar nga vendimmarrja nga ortaku tjetër Valon Ademi, i cili zotëron vetëm 2% të aksioneve, duke përfituar nga procedura të dyshimta që Pacolli vetë i konsideron të paligjshme.

Prej shumë muajsh, punimet në VIA ishin pezulluar dhe po krijoheshin vonesa për hapjen e aeroportit, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit i kishin dhënë të drejtë Valon Ademit.

Një precedent absurd ku ortaku mazhoritar që zotëron 98% të aksioneve dhe pretendon se ka angazhuar, edhe përmes daljes garant për kredi, më shumë se 300 milionë euro, u përjashtua nga e drejta e administrimit të aeroportit, ndërsa javët e fundit ju ndalua dhe hyrja në kantier.

Mirëpo, në seancën e zhvilluar më 26 maj, prej më shumë se tre orësh, mësohet se Behgjet Pacolli kishte angazhuar për mbrojtjen studion ligjore të ish-ministrit të Drejtësisë të Partisë Demokratike, Eduard Halili. Bashkë me dy kolegët e studios së tij, ata kanë siguruar një fitore deçizive.

Reagimi i plotë i Aeroportit të Vlorës: 

NJOFTIM ZYRTAR / DEKLARATË PËR SHTYP

Sqarojme opinionin publik dhe të gjitha palët e interesuara, lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë dhe administrimin e shoqërisë “VIA”

Përmes këtij komunikimi zyrtar, dëshirojmë të informojmë opinionin publik dhe palët e treta të interesuara në lidhje me çështjen e shqyrtuar së fundmi pranë Gjykatës së Lartë. Ndonëse deri në këtë moment nuk na është komunikuar zyrtarisht dispozitivi apo arsyetimi i plotë i vendimit, bëjmë me dije se objekti i këtij gjykimi lidhet ekskluzivisht me çështje të natyrës së brendshme korporative, përkatësisht me të drejtat e ortakëve/aksionarëve brenda shoqërisë “VIA”.

Në këtë kuadër, dëshirojmë të sqarojmë se vendimi i sipërpërmendur gjyqësor nuk prodhon asnjë pasojë juridike mbi veprimtarinë operacionale të shoqërisë koncesionare. Rrjedhimisht, ky akt nuk rregullon, nuk autorizon dhe nuk ka asnjë lidhje me të drejtën e qasjes (hyrje/dalje) në kantierin e punimeve nga ana e kontraktorëve apo nënkontraktorëve.

Në mbështetje të legjislacionit në fuqi për shoqëritë tregtare, aktet që lidhen me mbarëvajtjen dhe administrimin e përditshëm të shoqërisë janë tagër dhe kompetencë ekskluzive e organit administrativ (Administratorit). Këto kompetenca nuk mund të ushtrohen, zëvendësohen, anulohen apo tjetërsohen në mënyrë të njëanshme nga asnjë prej ortakëve të shoqërisë. Aktet dhe vendimet e Administratorit mbeten në fuqi të plotë ligjore.

Kemi konstatuar se subjekti “Mabco Construction SA”, në cilësinë e ish-kontraktorit (pasi marrëdhënia e tij kontraktuale me shoqërinë është zgjidhur ligjërisht), po tenton të ushtrojë presion publik përmes keqinterpretimit të qëllimshëm të vendimeve gjyqësore. Tentativa për të përdorur një vendim gjykate me objekt tërësisht të ndryshëm si mjet për të legjitimuar qasjen në kantier është e pabazuar në ligj dhe paraqet abuzim me të drejtën.

Theksojmë me vendosmëri se çdo përpjekje e paautorizuar, qoftë e drejtpërdrejtë apo e tërthortë, për të hyrë në hapësirat e kantierit të punimeve përbën një akt të paligjshëm, cenim të paprekshmërisë së posedimit dhe nuk gjen asnjë mbështetje në asnjë vendim apo urdhër të gjykatave të vendit. Ndaj çdo akti të tillë do të merren të gjitha masat e nevojshme ligjore pranë organeve kompetente.

Ju faleminderit per mirekuptim!

Gjykata e Lartë i dha të drejtë Pacollit, Aeroporti i Vlorës

Back to top button
LAJMET E FUNDIT