Thaçi: Me marrëveshjen, Kosova fiton njohjen nga Serbia dhe 5 vendet e BE-së
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se Kosova është e gatshme për dialog me Serbinë dhe për arritjen e një marrëveshjeje, gjithëpërfshirëse dhe balancuese. Sipas presidentit Thaçi, marrëveshja eventuale me Serbinë, do të jetë në interes të paqes.
Ai shprehu besimin e tij se një marrëveshje me Serbinë është e mundshme.
“Ne do të punojmë shumë seriozisht si Kosovë, duke iu përgjigjur nevojave të vendit për fqinjësi të mirë, që në muajt në vijim të ndodh dialogu me Serbinë dhe të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që Kosova ta fitojë njohjen nga Serbia dhe anëtarësim në OKB”, tha Thaçi gjatë konferencës të fundvitit.
Sipas Thaçit, me arritjen e marrëveshjes, Kosova do të fitojë njohjen nga Serbia si dhe nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, që deri më tani nuk e kanë njohur Kosovën.
Por, Thaçi përmendi edhe pasojat me të cilat do të përballet Kosova, nëse marrëveshja nuk arrihet.
“Kosova e fiton njohjen nga Serbia, e fiton njohjen nga pesë vendet e Bashkimit Evropian – nëse arrihet marrëveshja dhe unë shpresoj që do të arrihet dhe besoj në këtë drejtim. E fiton njohjen globale sepse do të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe e fiton vendin e sigurt për NATO dhe BE. Nëse nuk arrin marrëveshje? Fiton një izolim të plotë ndërkombëtar, regres, papunësi edhe një gjendje që nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës. Prandaj, asnjë lider i vendit nuk guxon që të mbajë peng të drejtën e qytetarëve të Kosovës dhe dëshirën e qytetarëve që të lëvizet sa më shpjet drejt së ardhmes evropiane”, tha Thaçi./ZgjohuShqiptar.info