Degradimi i thellë i mozaikut “Shqipëria”

Nje veper kulturore me vlera Kombtare në zhdukje

Arbër Kadia, përgjegjës për monumentet e Tiranës, tha se e
vetmja gjë që mund të bëhet është ndalimi i patologjive fillestare.
Akuzat nga Auron Tare i të majtëve: Zoti Bumçi, ku shkuan paratë për
restaurimin e mozaikut?

 

Pllakat e vogla të mozaikut “Shqipëria” (1981) në Muzeun Historik
Kombëtar janë shkëputur prej strukturës kryesore. Në të djathtë të
mozaikut, disa tesera të verdha janë rrëzuar përtokë. Mungesa e tyre
duket me sy të lirë. Kjo vepër e realizmit socialist që është kthyer
qysh prej fillimit në një simbol të Tiranës, prezanton një skenë masive
me luftëtarë që mbajnë në duar parzmoret e pushkën. Është vepër e
artistëve: Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas
Kostandini dhe Aleksandër Filipi. Nga konstatimet, dëmtimi ka ndodhur jo
vetëm për shkak të lagështirës, por dhe si pasojë e gjendjes në të
cilën ndodhej prej vitesh ky mozaik. Arbër Kadia, drejtor i Drejtorisë
Rajonale të Monumenteve për Tiranën, pas inspektimit të dëmeve mëngjesin
e djeshëm, pohoi që “mozaikut i kanë rënë disa copa të vogla. Këto
janë pjesë e atij degradimi që kemi bërë në studimin paraprak, me të
cilin është marrë një konsulencë e gjerë me ekspertë shqiptarë dhe
italianë”, thotë Arbër Kadia. Ai e shikon prishjen e këtij mozaiku si
pjesë të një diskutimi të gjerë. Madje thotë se “ashtu siç është
diskutuar dhe më përpara, ky mozaik fatkeqësisht është zbatuar gabim që
në fillimet e tij, pasi është bërë me një shpejtësi shumë të madhe”.
Ai shton se në diskutimet edhe me vetë autorët, është pranuar gjendja
patologjike e veprës. Kadia njëherë thotë që “ky mozaik është i
destinuar të prishet” e njëherë thotë se “ka nevojë për ndërhyrje shumë
të gjerë. Ne parashikojmë që të bëjmë një ndërhyrje shumë të shpejtë,
vetëm se jemi në pritje për parashikimin e një buxheti. Sipas Kadis
kërkesa për buxhet i është drejtuar jo vetëm shtetit, por dhe
donatorëve privatë, në mënyrë që të realizohet një lloj financimi për
këtë ndërhyrje. Por a do të jetë kjo zgjidhje përfundimtare? Apo është
thjesht një frenim paraprak për degradimin e mëtejshëm të mozaikut?
“Kjo ndërhyrje do të jetë thjesht për një frenim të degradimit të parë,
të asaj pjese që është e dukshme. Prandaj për t’i shkuar deri në
rrënjë problemit, duhet parë se si do të vazhdojë patologjia e këtij
degradimi.” Duken vërtet të pakuptimta dhe kundërthënëse deklaratat e
këtij specialisti të trashëgimisë që Ministria e Kulturës e ka çuar në
vend që t’i dalë ballë i vetëm daljeve në publik. Sepse drejtorit të
Muzeut Historik Kombëtar Luan Malltezi ditën e djeshme nuk mund t’i
rrëmbeje dot një sqarim. Çfarë duhet të nënkuptojmë me degradim total,
që kjo vepër nuk mund të shpëtohet as duke ndërhyrë herë pas në të? “Ky
është një mendim i specialistëve dhe jo i tij. Ata e shikojnë prishjen
e  kësaj vepre si të pakthyeshme. Por për këtë është ende e nevojshme
një lloj diagnostikimi më i detajuar. Një lloj diagnostikimi me
teknologji jo ndërhyrëse, siç janë grafitë që mund të tregojnë se çfarë
ndodhet nën strukturën e mozaikut.” Gjendja e mozaikut në fasadën e
Muzeut Historik Kombëtar prej vitesh është diagnostikuar e rëndë dhe
mbërritja në këtë pikë ku jemi është pasojë e një restaurimi që nisi
dhe nuk i bitis asnjëherë, as pjesërisht. E vetmja gjë që ka bërë
Ministria e Kulturës deri tani është sugjerimi i një studimi, të cilin e
kryen në vitin 2010 specialistë të mozaikëve në Institutin e
Monumenteve të Kulturës. “Ky studim të paktën të jep mundësinë sot për
të parë dhe për të dhënë një zgjidhje. Prandaj është thjesht çështje
kohe për të arritur tek ndërhyrja e parë”, përfundon Kadia. Për një
kohë disamujore, Mozaiku i Tiranës qëndroi i mbuluar me fashën e kuqe
promocionale të kompanisë telefonike Vodafone, si sponsore e
restaurimit të mozaikut. Se çfarë ka ndodhur, kësaj nuk i jep përgjigje
asnjë nga institucionet. Fakt është që mozaiku jo vetëm nuk është
prekur me dorë, por faktorët natyrorë e kanë pasur të lehtë të
shkatërrojnë deri në thellësi të zgarës së hekurit. Në vitin 2008
ish-drejtori i Muzeut Historik Kombëatr, Beqir Meta shtroi kërkesën për
ta hequr mozaikun mural me motivin se nuk i përshtatet “thelbit të
identitetit, të shpirtit shqiptar” dhe “brendisë së muzeut”. Kjo ide e
Beqir Metës u kundërshtua nga disa prej autorëve si piktori Anastas
Kostandini, i cili e konsideroi “një ide të çmendur”, por edhe kritikë
të artit pamor si Gëzim Qëndro që argumentonte pse kjo vepër e meriton
t’u dëshmojë brezave. Kështu dëshira e ish-drejtorit për shkatërrimin
nuk u realizua, por në vitin 2010 u paralajmëruan dëmtimet në pjesët që
rrezikonin shkëputjen nga mozaiku. Tani ngelet të presim miratimin e
ndonjë projekti që si duket nuk ka për t’u miratuar asnjëherë, deri sa
të shkatërrohet totalisht në heshtje.

Zoti Ministër, këtë herë trashëgiminë e kishit në mes të sheshit

Ku shkuan paratë e donatorëve për Muzeun Kombëtar

Auron Atare

Mozaiku më i madh në Shqipëri realizuar në Fasadën e Muzeut Kombëtar,
vepër unikale e artistëve shqiptarë filloi të rrëzohet mbrëmjen e
djeshme. Shiu i dendur zbuloi papritmas faktin që ky mozaik ishte lënë
në mëshirë të fatit edhe pse gjendet në mesin e Tiranës. I mbani mend
skelat me banderolën e fytyrës së qeshur të kryeministrit tonë? E pra,
poshtë banderolës që mbulonte fasadën për muaj me radhë, skelat ishin
ngritur për të restauruar mozaikun. Ca fonde donatorësh ishin lëvruar,
por me sa duket askush nuk vuri dorën në këtë mozaik. Një tjetër vepër e
trashëgimisë së shqiptarëve po dëmtohet rëndë. Kësaj radhë nuk ishin
hajdutët që hynë për ta prishur. Mozaiku kishte edhe roje, po kishte
edhe drejtor që paguhet për ta mbrojtur. Mozaiku po prishet nga
indiferenca dhe kusaria e pushteti tonë, i cili nuk po lë gjë pa
vjedhur. E mbani mend ministrin i cili do të flasë vetëm në datën 23
qershor? Ministri na tha se Kisha në Shpat ishte në një vend të humbur.
Po tani zoti Ministër çfarë mund të thoni? Zoti Ministër, a mund të na
thoni se ku shkuan paratë e restaurimit të mozaikut? Po fondi prej 1
milion euro që ka dhënë UNDP për këtë muze? UNDP sigurisht që duhet të
flasë publikisht se ku shkuan paratë e qeverisë spanjolle për Muzeun
Kombëtar pasi nuk është normale që paratë e donatorëve shkojnë për rrush
e kumbulla dhe askush të mos mbajë përgjegjësi.

Nga Valeria Dedaj

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
              Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT