“Hegjemonia”, investimet greke, 400 milionë euro

“Parajsa financiare” e kompanive të celularëve në Shqipëri. Si erdhën grekët në privatizimin e AMC-së dhe si është ndarë “torta” e 340 milionë dollarëve mes Telenor-Cosmotesë dhe Panafon-Vodafonit

Nga Ardit Saliaj

Tregu i celularëve “grekë”

Celularët në shifra:
460 milionë dollarë, tregu i telefonisë
340 milionë dollarë, tregu i telefonisë mobile
72% e shpenzimeve për biseda me celular;
18 % rritja e tregut të celularëve
2.4 milionë shqiptarë kanë celularë

Shqipëria është një nga tregjet më të preferuara për investitorët grekë në fushën e telefonisë mobile. Shqiptarët, falë një izolimi të gjatë dhe ekonomie të centralizuar, u hapën për investimet e huaja pas vitit 1990. Ndërsa “luksin” e komunikimit me celular do ta shijonin për herë të parë vetëm pak biznesmenë të fuqishëm. Kjo ndodhi për herë të parë në muajin Maj 1996 kur lëshohet sinjali i parë i telefonisë celulare në Shqipëri. Kompania shtetërore e telefonisë celulare e quajtur Albanian Mobile Communication do të rriste me shpejtësi tregun e saj kryesisht në Tiranë dhe në ultësirën jugperëndimore ku ishin vendosur investitorët kryesorë. Por, kapacitetet e saj financiare dhe burimet njerëzore ishin të kufizuara përballë kërkesave në rritje të shqiptarëve për telefona, kërkesë e shtuar falë edhe apatisë së kompanisë Albtelekom. Të merrje një numër celulari në vitin 1996 të kushtonte rreth 1500 dollarë, ndërsa tregu ishte thuajse i ”virgjër”, pasi Albtelekomi muaj pas muaji po lëshonte territore që i kishte mbuluar më parë me telefona fiks. Kështu, rreth 70 për qind e popullsisë shqiptare në vitin 1997 nuk kishte mundësinë të aplikonte për një numër telefoni, pasi rrjetet u shkatërruan. Edhe shqiptarët që jetonin në qytet, në mënyrë të veçantë në zona të mbipopulluara, e kishin të kufizuar mundësinë e pajisjes me një telefon fiks pasi duhet të paguanin nën dorë rreth 600 dollarë për të instaluar një numër telefoni.

Si erdhën grekët
Sigurisht që tregu i ”pangopur” i telefonisë në përgjithësi dhe celularëve që sapo kishin filluar të funksiononin në ekonominë shqiptare nuk mund të mbeteshin jashtë vëmendjes së fqinjëve tanë jugor. Në gusht 2000 u zhvillua tenderi për shitjen e 85 për qind të aksioneve të AMC-së. Shoqëria me kapital të përbashkët greko-norvegjez (Cosmote-Telenor) bleu 85% të aksioneve të saj, duke i lënë palës shqiptare rreth 15% të aksioneve. Buxheti i shtetit arkëtoi 85.6 milionë dollarë në prag të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001, ndërsa greko-norvegjezët do të arrinin një shlyenin investimin që në vitin e parë të aktivitetit. Kjo falë një strategjie agresive për të pajisur me celular çdo shqiptar që ishte gati të paguante 70 dollarë për kartën e abonentit dhe rreth 200 dollarë për disa aparate celularë ”Alkatel” që kishin dalë jashtë funksionimit. Një vit pas hyrjes së Cosmote-Telenor në tregun e celularëve, një tjetër kompani me kapital të përbashkët (shumica greke 70 për qind) do të mësynte në tregun shqiptar. Panafon-Vodafone do të merrte licencën e dytë të shërbimit celular në Shqipëri për 35.1 milionë dollarë amerikane. Vodafone Albania e filloi shërbimin e saj GSM në Shqipëri në 3 gusht 2001, duke filluar atë që, sipas faqes zyrtare të internetit të Vodafonit, mund të quhet ngritja më e shpejtë e një rrjeti GSM në botë. Vodafone Albania ka aktivizuar mbi 300 stacione bazë që mbulojnë zonat: Tiranë, Fushë-Krujë, Krujë, Laç, Burrel, Lezhë, Shkodër, Elbasan, Pogradec, Korçë, Durrës, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë, Berat, Kuçovë, Lushnjë, Fier, Ballsh, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë si dhe zona përreth këtyre qyteteve. Aktualisht, numri i abonentëve është rreth 1.7 milion.

Lulëzimi i një biznesi
AMC dhe Vodafone janë dy kompanitë me xhiron më të madhe vjetore në Shqipëri për vitin 2004. Rreth 46 miliardë lekë, apo 15, 500 lekë për frymë kanë shpenzuar shqiptarët për të komunikuar në distancë me njëri-tjetrin gjatë vitit 2004. Shuma e shpenzuar për telefoninë gjatë vitit 2004 është 5 miliard lekë më e lartë, apo 12% më shumë në krahasim me vitin 2004, çka tregon se tregu i telefonisë vazhdon të jetë në fazën e rritjes. Dhe kjo është pa dyshim më e vërtetë për shoqëritë celulare, të cilat kanë ditur të shfrytëzojnë më së miri “urinë” e shqiptarëve për të komunikuar me celularë. Të ardhurat e dy operatorëve celularë privatë AMC dhe Vodafone janë rritur me 18% gjatë vitit 2004, duke lënë në bisht Albtelecom-in, që prej vitesh vuan ngërçin e keqadministrimit të një pasurie shtetërore. AMC nuk e ka më pozicionin udhëheqës në treg dhe se spoti i saj “shoqëria më e madhe e telefonisë celulare në Shqipëri” tashmë është vjetruar e duhet ndryshuar. Ndonëse me një diferencë fare të vogël, Vodafone ka më shumë të ardhura se AMC gjatë vitit 2004. Janë rreth 180 milionë lekë që përbëjnë diferencën, çka tregon se klientët e Vodafone shpenzojnë më shumë sa kohë që numri i abonentëve është i përafërt, rreth 1.7 milion ku AMC ka diçka më shumë klientë se Vodafone.

AMC, fitime rekord
AMC rezulton një ndër shoqëritë me norma më të larta fitimi në Shqipëri. Viti 2004 ka qenë tepër pozitiv në këtë drejtim. Rritja e të ardhurave me 8.5% dhe ulja e shpenzimeve me 1.4% ka bërë që norma e fitimit (bruto) të AMC-së të rritet nga 34.9% në 2003 në 41% në vitin 2004. Vodafone, vërtet ka shënuar një rritje të ndjeshme të të ardhurave prej 28.2%, por nga ana tjetër dhe shpenzimet e shoqërisë janë rritur me 20%, çka ka bërë që Vodafone të ketë një normë më të ulët fitimi se AMC, vetëm 25.8%. Kjo rritje e shpenzimeve ka ardhur dhe si rrjedhojë e ndryshimit të strukturës së shpenzimeve, pas investimeve të kryera nga Vodafone. Këto të fundit u “shkëputën” nga shoqëria mëmë, pas një kredie që Vodafone mori në bankën Alpha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT