Janë kopukë, janë zabërhanë, shesin t’anë, shesin vatanë !

Bashkimi i trojeve shqiptare, proçes i pa shmangshëm !
Kemi mbaruar të tërë, po qe se secili mendon për vete dhe jo për kombin – thoshte Marin Barleti.
Mendjendriturit tanë të Rinindjes Kombëtare, Sami Frashëri dhe Ismail Qemali, ëndërronin një Shqipëri me gjithë trojet e bashkuara, siç duhet të jetë në të vërtetë, me mbi 60 mijë km katrore dhe më një popullsi mbi 7 milion banorë.
Kjo hapësirë e trojeve etnike shqiptare, llogaritet brenda pesëkëndëshit Ulqin, Kosovë Veriore, Pershevë, Strugë, Prevezë.
Sipas tyre, kështu Shqipëria do të kishte kushte të mjaftueshme për begati ekonomike, përparim shoqëror e qëndrushmëri politike, brenda vetes së vet, por edhe do të ishte një vend që, sigurisht, do rrezatonte stabilitet në Ballkan.
Poeti ynë i madh, Lasgush Poradeci, pat thënë ” Do të vijë një ditë, kur do të vemi në dasëm e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën “.
Ndërsa, Padër Anton Arapi, thoshte ” Bashkimin e shqiptarëve ta bajmë monument kombëtar “.
Për disa politikanë dhe politika shqiptare, sot, të flasë dikush kështu, ose është çmenduri, ose radikalizëm. Dhe, si të tillë, ata që mendojnë për bashkim të trojeve shqiptare, janë radikalë, spiunë serbë, antikombëtarë, përçarës të çështjes kombëtare, etj, etj.
Kështu thuhet. Edhe pse ka plot mjete dhe instrumente juridiko-diplomatike, që përcaktojnë të drejtën e kombeve për vetëvendosje, siç janë Karta e Kombeve të Bashkuara e vitit 1945, Rezoluta 1514 e Asamblesë së Përgjithëshme të OKB e vitit 1960, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike e vitit 1966, Rezoluta e OKB-së nr. 2625 e vitit 1970, e njohur si Deklarata e Marrëdhënieve Miqësore, Akti final i Helsinkit i vitit 1975, karta e Parisit e vititi 1990, etj. Në shumicën e këtyre dokumenteve theksohet dhe përcaktohet qartë e drejta e vetëvendosjes së kombeve, por edhe njohja e ndryshimit të kufijve.
Akti final i Helsinkit është instrumenti themelor në Kuadrin e Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropian ( OSBE ). Parimi VIII i këtij akti thotë: ” të gjithë popujt, gjithmonë kanë të drejtën që në liri të plotë dhe në kohën e në mënyrën që ata dëshirojnë, të përcaktojnë statusin e tyre politik të brendshëm dhe të jashtëm “. Kjo dispozitë e këtij dokumenti tregon se parashikohet një shkallë e lartë e së drejtës së vetëvendosjes.
Po kështu, edhe Karta e Parisit për një Evropë të Re e vitit 1990, përcakton dhe madje e avancon edhe më tej këtë të drejtë të popujve.
Është imperativ i kohës sot, të njihen mirë këto dokumente të rëndësishëm dhe tjerë që nuk i përmendëm, sepse do të gjejmë argumente të fuqishëm në të mirën e çështjes tonë madhore, të përcaktuar nga vetë ata që aktualisht, ne shqiptarëve na rekomandojnë të bëjmë jetën tonë copa copa, kështu siç jemi, të ndarë në pesë shtete.
Edhe pse disa ambasadorë e coptuan në Londër në fillimin e shekullit, elita shqiptare nuk e përfilli këtë ndarje, por vazhdoi me logjikën e bashkimit. Hasan Prishtina u bë kryeministër më shumë se dhjetë vjet pas këtij coptimi. Bajram Curri qe anëtar i qeverisë së Nolit. Po sot ? As që mund të mendohet nga një pjesë e politikës tonë.
Përse pra, na qenka mace e zezë kërkesa për bashkim kombëtar ? Pse pikërisht ndodh kështu, kur ne kemi gjithë premisat optimale për të kërkuar një gjë të tillë ?
Dikush thotë, se nuk janë pjekur kushtet e ndërkombëtarëve. Së pari, nuk e kuptoj cilët janë kushtet e tyre ! Ç’ lidhje kanë ato me ne, me problemet e zhvillimet tona të brendëshme ? Jam i bindur se kushtet e tyre nuk përmbushen asnjëherë. Ata nuk do të jenë asnjëherë dhe në asnjë rrethanë në favorin tonë. Historia shqiptare ka dëshmuar qartë qëllimet e synimet e tyre.
Mbetet respektimi i mendimit tonë kombëtar, respektimi i elitës shqiptare. Mbetet ndërtimi i platformës tonë nga akademikët. Por edhe kërkohet respekt e ndërgjegje patriotike nga të gjithë shqiptarët, kudo që janë.
Ne mbështetemi në energjitë tona, por edhe në dokumentet e sotme ndërkombëtare, se jemi pjesë e kësaj Evrope. Gjermania nuk qe radikale kur kërkoi dhe e bëri bashkimin e vet. As ne nuk jemi kurrë të tillë, pse kërkojmë bashkimin e trojeve tona.
Ne, shqiptarët, kemi një përçmim konstant ndaj njëri tjetrit, e reflektuar kjo së pari nga sovranitetet e huaja që kanë administruar këtë vend shekujt që ikën.
Sipas Prof. Aleks Luarasit ” shqiptarët, duke jetuar në shekuj nën pushtimet e huaja, e kanë parë vazhdimisht shtetin dhe institucionet e tij me një sy armiqësor “.
Kjo do të thotë që vetë komuniteti shqiptar nuk duhet të mos dojë, respektojë e simpatizojë shkencëtarët, politikanët dhe idetë që pjell vetë. Ne shqiptarët, duhet të respektojmë vlerat dhe qëllimet tona madhore, siç është problemi i madh i bashkimit të të gjithë shqiptarëve në njësi të vetme.
A e kanë patur ndonjëherë në dorë shqiptarët problemin e bashkimit ? Asnjëherë dhe në asnjë rast ! Me gjithë përpjekjet titanike, as në Rilindjen tonë, kur vetëdija kombëtare ishte në shkallën më të lartë.
Sot në fakt është situatë tjetër. Por edhe kjo situatë, varet se si menaxhohet nga klasa jonë intelektuale dhe politike.
Sipas studiuesit arbëresh Fortino Italo Costante ” sot, më shumë se kurrë, Shqipëria po shkon në kërkim të identitetit të saj. Ajo ka nevojë të marrë në dorë fatin e saj që, në të kaluarën, u qe lënë të tjerëve “. Ashtu ka qenë plotësisht. Por ashtu më duket se është edhe tani. Nuk kemi një platformë tonën ende. Politika servile shqiptare në përgjithësi, heziton të formulojë para botës brengën më të madhe të shqiptarëve.
Duhet të hartohet nga institucionet tona më të larta shkencore një program strategjik, afatgjatë – shprehet prof. dr. Agim Vinca – ku do të parashikohen rrugët dhe mundësitë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet, si e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare. Rolin kryesor në këtë plan duhet ta luajë shteti. Por kundër rrjedhës, individë të veçantë, por edhe një pjesë e politikës të sotme në Tiranë e Prishtinë, të etiketon dhe të shikon vëngër nëse dikush flet për shqiptarë të bashkuar, për troje të bashkuara, për një unifikim natyror të shqiptarëve.
Ismail Kadare shprehet se ” asnjë doktrinë, asnjë manipulim apo tregti politike, asnjë trysni shtetesh, lobesh apo organizmash ndërkombëtarë, nuk mund të pengojnë kombin shqiptar të kryejë atë që gjithë kombet e Evropës, plotësisht apo gati plotësisht, e kanë kryer, bashkimin kombëtar të tyre “.
Sipas disa politikanëve të sotëm, por edhe të disa gazetave tona gjoja kombëtare, Ismail Kadare është radikal, fundamentalist, nxitës i luftrave, ultranacionalist, që kërkon Shqipërinë e madhe.
Ecim më tej. Më së shumti me trajtimin e problemit të bashkimit kombëtar është marrë akademiku i nderuar Rexhep Qosja. Ai diku në trajtesat e tij për këtë problem madhor shprehet “… bashkimi kombëtar -bashkimi i trojeve, në të cilat shqiptarët janë popullatë e vetme, shumicë në shtetin amë me Shqipërinë shtetërore, duhet të jetë synimi historik i popullit të ndarë shqiptar “. Më tej vazhdon mendimin e tij profesori Qose ” Historia nuk pushtohet me njerëz të ndarë dhe pa sakrifica. Historia ndryshon dhe pushtohet me njerëz të bashkuar dhe me sakrifica. E bashkimi nuk bën vetëm fuqinë siç është thënë shpesh, por bashkimi bën edhe mençurinë “. Edhe professor Qosja, sipas një pjese të politikës së sotme servile, është i anatemuar, i papërfillur, i pa respektuar. Madje i kanë ndryshuar edhe mbiemrin. Edhe kjo mendje e ndritur, duhet të konsiderohet radikal sipas konceptit të sotëm të një pjese të politikës shqiptare, sepse kërkon bashkimin, kërkon njësimin e trojeve shqiptare.
Vazhdojmë me mendimin e Ukshin Hotit, një nga figurat më të shquara në fushën e filozofisë dhe politologjisë tonë të re. ” çdo analizë, thotë ai, në çfarëdo aspekti, në instance të fundit, nuk mund të mos reduktojë çështjen shqiptare në nevojën e bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm shqiptar “. Edhe intelektuali ynë martir duhet të jetë radikal, se kërkon bashkimin, kërkon një shtet të vetëm shqiptar.
Për një pjesë të politikës së sotme, nuk ka rëndësi logjika e zhvillimeve shqiptare, nuk kanë rëndësi përpjekjet e akademikëve dhe idealistëve shqiptarë, me rëndësi është që të respektohen ato rekomandime që jep bota. Ajo nuk e do bashkimin. Ok. Edhe ne nuk e duam, thotë njëzëri politika e sotme.
Të gjitha këto tregojnë, se ne nuk e kemi në dorë ende problemin tonë më të madh. Atë ia kemi lënë ndërkombëtarëve, ia kemi lënë një Evrope, institucionet e së cilës vdiqën pas luftës në Irak, por që ende nuk është bërë ceremonia e varrimit.