Autobusët e Shkupit nisin të qarkullojnë me mbishkrime shqip

SHKUP – Beteja e televizionit Alsat M për zbatimin e ligjit për
përdorimin e gjuhëve zyrtare të Maqedonisë nga institucionet nën
kompetencën e qytetit të Shkupit sot i dha rezultatet e para. Të gjithë
autobusët e rinj me ngjyrë të kuqe të linjës me numër 9 – të cilët
fillimisht nuk ishin me mbishkrime në shqip – prej sot mbajnë mbishkrime
edhe në gjuhën shqipe. Qytetarët shprehen të kënaqur për fillimin e
përdorimit të gjuhës shqipe nga kjo ndërmarrje, por kërkojnë që një gjë e
tillë të bëhet në të gjithë autobusët e NTP-së, pa përjashtim.

“Për
autobusët besoj se duhet të jetë e drejtë të jenë edhe në gjuhën
shqipe. Duhet të jetë patjetër, sipas mendimit tim. Të gjithë”. “Ka
dikush që nuk e kupton maqedonishten. Duhet të shkruhet vendi, ku shkon
autobusi me numër 9, që ta kuptojnë më mirë edhe udhëtarët. Shumica e
popullatës tonë nuk kupton maqedonisht, ka gra plaka që nuk e kuptojnë,
por më mirë kur është e shkruar në shqip”, thotë një qytetar shqiptar.
“Duhet të ketë edhe në shqip edhe në maqedonisht. Më mirë ashtu”.

Tani për tani kjo do të jetë linja e vetme, që do të mbajë mbishkrime
edhe në gjuhën shqipe, por drejtori i Ndërmarrjes për Transport Publik
në Shkup pati premtuar se numri i autobusëve me tabela elektronike në
gjuhën shqipe do të rritet sistematikisht. “Normalisht nuk do të mundemi
menjëherë, që në të gjithë autobusët ta bëjmë këtë, por do të nisim me
një autobus dhe sistematikisht do të rrisim numrin e autobusëve, që do
të kenë tabela edhe në shqip”, deklaroi kohë më parë Misho Nikollov,
drejtori i Ndërmarrjes për Transport Publik në Shkup. Edhe në përgjigjen
që i ka shkruar Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së
Ohrit, Nikollov ka premtuar se deri në fund të muajit mars, në  të
gjithë autobusët do të fillon përdorimi i gjuhës shqipe.

“Presim
që ndryshimet e softuerit të kryhen brenda këtij muaji dhe e shumta deri
në mars të 2013 të ndryshojnë tabelat elektronike të autobusëve dhe
shumë shpejt do të plotësojmë detyrimin tonë ligjor”. Megjithatë, kjo
nuk e justifikon drejtorin e NTP-së, Misho Nikollov për shkeljen e
deritanishme të ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe për këtë vlen padia e
ngritur nga lëvizja qytetare ‘Zgjohu’. Sipas nenin 138 të Kodit Penal,
drejtori i NTP-së, si edhe të gjithë personat e tjerë zyrtarë, të cilët
kanë penguar apo pengojnë përdorimin e gjuhës shqipe, rrezikojnë dënim
me burg nga 6 muaj deri në 5 vite.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
               Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT